Nga Fatos Tarifa
Keto tridhjetë e ca vite, që ne vazhdojmë t’i quajmë një perudhë tranzicioni demokratik në Shqipëri, janë karakterizuar nga një kulturë politike që ende nuk është bërë një kulturë demokratike. Një shprehje e kësaj kulture jodemokratike është edhe pikëpamja naive e një pjese të gjerë të publikut mbi raportet e administratës së Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit të saj, ambasadorit (sot ambasadores) amerikane në Tiranë me kreun e qeverisë shqiptare dhe me politikanët kryesorë të këtij vendi.
Legjenda urbane, së cilës, fatkeqësisht, vazhdojnë t’i besojnë shumë njerëz, përmban edhe fabulën berishiane të këtyre dy viteve të fundit.
Mbështetur në përvojën time diplomatike në Washington, unë ofroj për publikun këtë shpjegim:
Gjatë katër viteve që shërbeva si ambasador i Shqipërisë në Uashington (prill 2001- maj 2005) kam pasur nderin të njoh nga afër dhe të bashkëpunoj ngushtë me tre ambasadorë që Shtetet e Bashkuara dërguan në ato vite të përfaqësonin në Tiranë presidentin dhe administratën e atij vendi: të ndjerin Joe Limpreht, James Jeffrey dhe Marcie Ries.
Misioni i çdonjërit prej tyre—ashtu si dhe misioni i çdo ambasadori tjetër amerikan në Tiranë para dhe pas tyre—ka qenë i njëjti. Këtë mision, më mirë sesa do të mund ta formuloja unë, ma ka shprehur me fjalët e tij ambasadori Jeffrey në takimin tonë të parë në Uashington, të nesërmen pas konfirmimit të tij në Senat.
“Duke filluar nga dita e djeshme, për mua Shqipëria është vendi më i rëndësishëm në botë. Në të gjithë administratën amerikane unë jam i vetmi njeri që do të mendoj 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë për Shqipërinë, për shkak se më është besuar të përfaqësoj qeverinë e vendit tim në vendin tuaj. Në këtë funksion, misioni im kërkon që unë të mendoj vazhdimisht për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, ashtu sikurse ju mendoni vazhdimisht për marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara”.
Për Shtetet e Bashkuara dhe për cilindo ambasador që ai vend zgjedh t’i përfaqësojë dhe t’i mbrojë interesat amerikane në marrëdhëniet me Shqipërinë (dhe me çdo vend tjetër, ose me çdo organizatë ndërkombëtare), përparësor është interesi kombëtar amerikan. Ky interes është i pakompromentueshëm. Njëlloj duhet të jetë (edhe pse fatkeqësisht jo gjithnjë ka qenë ose është), edhe për ambasadorët shqiptarë kudo në botë.
Dikujt mund ti duket paradoksal, por unë e quaj ironik, faktin që i vetmi president shqiptar në detyrë në këto tri dekada, Sali Berisha, që është ftuar për vizitë pune zyrtare në Shtëpinë e Bardhë nga një president amerikan (George H. W. Bush më 1992 dhe Bill Clinton më 1995), është po ai individ, të cilin administrata amerikane e ka shpallur sot persona non grata.
Shpjegimi është i thjeshtë: Shtetet e Bashkuara nuk duan t’ia dinë se cili individ është në krye të shtetit ose të qeverisë në Shqipëri, si e ka emrin, ose cilës parti politike i përket.
E vetmja gjë që përputhet me interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara në marrëdhëniet me vendin tonë dhe më gjerë në Ballkan është konsolidimi i institucioneve demokratike dhe i shtetit ligjor në Shqipëri, lufta e vazhdueshme e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, paqja sociale dhe stabiliteti e progresi në rajon.
Çdo qeveri dhe çdo president apo kryeministër shqiptar që e bind administratën amerikane (jo retorikisht, por realisht) se përpiqet ndershmërisht për realizmin e këtyre synimeve, ka dhe do të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të ambasadorit të saj në këtë vend.
Unë nuk them ndonjë gjë të re nëse pohoj se, ashtu sikurse asnjë ambasador amerikan, në asnjë vend, nuk flet me gjuhën e vet dhe nuk vepron me kokën e vet, por shpreh dhe mbron interesat e vendit të vet, po kështu asnjë sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara nuk vepron sipas dëshirës së vet, por shpreh dhe mbron interesat e vendit të vet.
Shpallja e Sali Berishës dy vite më parë si një person non grata nga sekretari Blinken nuk ishte një vendim personal i tij, por një vendim i administratës së Shteteve të Bashkuara, mbështetur në fakte mjaftueshmërisht të arsyeshëm për ta marrë atë vendim. Soros apo kushdo tjetër që gjoja ka lobuar për marrjen e atij vendimi janë një alibi e Berishës.
Të mendosh se me largimin e “guvernatores” Kim—siç në një mënyrë dëshpërimisht skandaloze e të paturpshme e ka cilësuar Berisha ambasadoren e nderuar të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri—dhe me ardhjen e një ambasadori të ri amerikan në Tiranë ky qëndrim mund të ndryshojë, është një naivitet kaq i madh, sa asnjë njëri i arsyeshëm dhe me sado pak njohuri mbi politikën e Shteteve të Bashkuara nuk mund ta marrë seriozisht./GazetaDita