Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më aleatë të kësaj PD-je që drejtohet nga liderët e vjetër me në krye Sali Berishën. Madje edhe takimi që mbajti me deputetët e rinj të të gjitha subjekteve politike që do të jenë në parlamentin e ardhshëm, ishte mesazh i qartë se nuk i heq nga lista e zezë liderët e vjetër. Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu, i pyetur për takimin që selia diplomatike amerikane në Tiranë, zhvilloi me ligjvënësit e rinj të Kuvendit.
“SHBA-të kanë qenë aleatët kryesorë të PD-së dhe madje financuesit e saj. SHBA-të janë të qarta dhe konseguente. Mesazhi i ambasadës së SHBA me deputetët e rinj ishte i qartë. Takuan deputetë të rinj dhe jo të vjetër, jo me liderët e tyre, përmendën PD dhe PS, por jo Ramën dhe Berishën. SHBA mbështesin elitën e re politike dhe jo atë të vjetër, ndërsa nuk heqin nga lista e zezë liderët e vjetër të politikës shqiptare”, tha juristi për Report Tv.
Ai vuri në dukje edhe spekulimet nga disa media, duke përfshirë emrat e Berishës dhe Ramës si pjesë të mesazhit amerikan, por që në të vërtetë nuk përmendej asnjë prej tyre.
“Mediat spekulojnë me mesazhin që kanë përcjellë, SHBA-të nuk përmendin as liderët e dy partive dhe as me emër Berishën apo Ramën. Nuk është rastësi, nuk ka rastësi për SHBA-të. Në asnjë vend nuk përmenden liderët, por thuhet se u takuan me deputetët e rinj të të gjitha partive.
Inkurajuan deputetët e rinj, nuk dhanë mesazhe agresive. Mesazhi i SHBA i qartë, mbështetin deputetët e rinj. Di të lexoj mesazhin dhe nuk di të spekuloj, ishte që inkurajoj deputetët e rinj të të gjitha partive, ishte mesazh i drejtë dhe nuk përmendej asnjë nga liderët e vjetër dhe nuk shoh asnjë mesazh tjetër të SHBA-ve apo ndryshim të qëndrimit të tyre”, përfundoi Spahiu argumentin e tij.