Shefi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew pritet që të flasë para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten.
Sipas Reuters, Chew në këtë seancë do të argumentojë se aplikacioni, me 150 milionë qytetarë amerikanë që janë abonentë, nuk ka ndarë kurrë të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze.
Sipas tij, kompania mëmë e TikTok, ByteDance ,nuk zotërohet apo kontrollohet nga asnjë ent qeveritar apo shtetëror
“Më lejoni ta deklaroj këtë kategorikisht: ByteDance nuk është agjent i Kinës apo i ndonjë vendi tjetër”, do t’i thotë komitetit Shou Zi Chew.
Kujtojmë se TikTok bëri të ditur të hënën se më shumë se 150 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara e përdorin aplikacionin popullor në baza mujore.
“Ndërsa përdoruesit e TikTok në Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë 10% të komunitetit tonë global, zëri i tyre përbën 25% të shikimeve totale në mbarë botën.”
Britania, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Holanda, Belgjika dhe Kanadaja kanë lëshuar së fundmi urdhra për ndalimin e përdorimit të TikTok.
Ekspertët druhen se informacione sensitive mund të ekspozohen gjatë shkarkimit të aplikacionit, veçanërisht në pajisjet qeveritare.