I riu Klevis Ruçaj, i cili ishte shoferi i automjetit ‘Audi A8’ që shkaktoi aksidentin tragjik me tre viktima mbrëmjen e të mërkurës, sipas ekspertëve po lëvizte me më shumë se 260 km në orë.

Mësohet se makina luksoze me të cilën udhëtonte i riu bashkë me dy vajza, ka kaluar korsinë e parë dhe është përplasur me murin mbrojtës në anën tjetër të rrugës duke u përplasur me një tjetër automjet, ku udhëtonin tre persona që mbetën të plagosur.

Siç shihet në pamjet e filmuar në vendin e aksidentit, automjeti ka ardhur me një shpejtësi tej normave të lejuara dhe ka marrë përpara bordurat metalike duke i shkulur ato nga vendi.

Pjesë të bordurave madje kanë përfunduar dhe 100 metra më tutje, në anën tjetër të rrugës. Policia sot ka vendosur dhe një bllok betoni për të shmangur të tjera aksidente në këtë segment. Ndërkohë që në këtë aks sipas tabelave, duhet që automjetet të lëvizin me 40 km/orë.