Një aksident tragjik i ndodhur mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Sarandë – Delvinë, I mori jetën në lule të rinisë dy motrave, Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe. Ndërsa një vajzë tjetër që ishte në makinë me motrat, Antonela Zhupa, 24 vjeç mbeti I plagosur.
Autori i aksidentit, 23-vjeçari Kevi Norra, banor i Gjirokastrës, është arrestuar nga policia. Burime zyrtare bëjnë me dije se, pas testit të alkoolit, rezultoi se i riu ishte në gjendje të dehur.
Njoftimi:
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.