Një devijim për të mos u parakaluar. Më pas një kontakt mes “Polo”-s dhe “BMW”-së, ndërsa kjo e fundit përplaset me pemën.
Një aksident që do të përfundonte në tragjedi. Është kjo një nga hipotezat e fundit që publikohet në mediat italiane për të sqaruar masakrën që ndodhi në Gorgo al Monticano dhe humbën jetën dy vajza, 19-vjeçarja shqiptare Eralda Spahillari dhe 17-vjeçarja Barbara Brotto.
Shoferi i makinës tip “BMW”, Mikele Tatani, i fejuari i Spahillarit, ndodhet në gjendje të rëndë në spital së bashku me të dashurin e Brotto-s, Danielle Castelli.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, makina tip “Polo” që drejtohej nga 18-vjeçari Gëzim Qerosi me origjinë shqiptare, mund të ketë luajtur rol aktiv në daljen e “BMW”-së nga rruga.
Vendimtare do të jetë ekspertiza që pritet të bëjë prokurorja Gabriella Cama në ditët në vijim. Synimi është të kuptohet se si janë përplasur dy makinat dhe nëse ka apo jo lidhje mes kontaktit të parë dhe goditjes fatale në pemë.
Në këtë mënyrë pritet të zbardhet edhe përgjegjësia e dy drejtuesve të makinave, pasi Tatani dhe Qerosi po hetohen për vrasje të dyfishtë në rrugë. Një tjetër hipotezë që po shqyrtohet nga prokurorja është ajo e mosdhënies së ndihmës, duke qenë se 4 shokët u larguan pasi telefonuan karabinierët. Disa orë më vonë ata u gjetën në shtëpitë e tyre. Çdo rezultat i hetimit pritet që t’i ngarkohet shoferit dhe jo pasagjerëve.
Sa i përket dinamikës së ngjarjes dy hipoteza janë në tavolinë. E para është se Tatani ka parakaluar me shpejtësi të madhe, ka goditur “Polo”-n dhe më pas përfundoi në pemë. Ky në fakt është rikonstruksioni paraprak i dinamikës së ngjarjes që qarkulloi menjëherë pas ngjarjes.
Por në këto orë po qarkullon edhe hipoteza e dytë, ende për t’u verifikuar. Dyshohet se “Polo” mund të ketë levizur drejt qendrës së rrugës teksa makina tip “BMW” po tentonte të parakalonte. Në atë moment Tatani ka kthyer në mënyrë institktive timonin majtas dhe më pas është përplasur. Në trupin e “BMW”-së është gjetur një gërvishtje.
Pastaj ka edhe një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh sipas Il Gazettino-s. Nëse “BMW”-ja do të kishte goditur “Polo”-n me 140 km/h me shumë mundësi do ta kishte shtyrë atë nga rruga. Por makina tjetër nuk ishte aty dhe prandaj një eksperitë është thelbësore. Po ashtu pritet që dy shoferët të kryejnë testet toksikologjike për të kuptuar nëse ka qenë nën ndikimin e alkoolit apo drogës.