Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë ku fatkeqësisht humbën jetën tre persona, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
Klevis Ruçaj, shoferi 20 vjeçar i Audit A8 që shkaktoi aksidentin e rëndë në rrethrrotullimin e TEG-ut, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës disa orë pas aksidentit, ndërkohë njëra nga vajzat që po udhëtonte me 20 vjeçarin humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetra teksa ishte duke u transportuar për në spital.
20-vjeçari gjatë momentit të aksidentit ishte me shpejtësi të madhe dhe nga videot e postuar nga vetë ai në rrjetet sociale u pa se i pëlqente adrenalina dhe shpejtësia.
Por megjithëse kishte pak kohë që ishte drejtues mjeti, ai ishte ndëshkuar 5 herë nga policia për shkelje të ndryshme:
Ndëshkuar për parakalim dhe veprime të ndaluara më 6 shtator 2022
Nuk zbatoi sinjalistikën 7 tetor 2022.
Gjobitur për shpejtësi 15 nëntor 2022.
Është kapur me celular në drejtimin e mjetit 9 dhjetor 2022.
Pa siguracion dhe nuk zbatoi sinjalistikën 27 janar 2022.
Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, Ruçaj shihet se ka qenë i apasionuar pas shpejtësisë dhe lëvizte përherë me mjete të shpejta.