Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar që prej orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore, në të gjithë vendin, të kalojnë në shërbim të përforcuar, duke rritur prezencën e punonjësve të Policisë dhe të mjeteve logjistike, në akset rrugore.
Të gjitha makinat inteligjente dhe pajisjet bashkëkohore që Policia disponon, si radarët automatikë, dronët, kamerat dhe mjetet e pauniformuara, do të vijojnë të jenë në funksion 24/7, me tri turne, në të gjitha rrugët e vendit.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të moderojnë shpejtësinë, pasi në disa segmente ka prezencë të ujit e të lagështirës; të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.