“Punimet në aksin Thumanë-Kashar vijojnë me intensitet të lartë për të qenë gati më 30 Qershor të këtij viti. 17 kilometra deri tani janë të aksesueshme ndërkohë që asfaltimi ka nisur nga aksi Thumanë-Fushë Krujë për të vijuar më pas me aksin tjetër Fushë Krujë-Rinas”, raporton gazetarja e Tv Klan Valbona Lilaj.
Kjo autostradë e re do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë-Krujës, Rinasit dhe Vorës dhe do të lidhë dy pika, segmentin me 4 korsi në Thumanë në veri me autostradën Tiranë-Durrës në jug.
Nëse do të hapet në Qershor, siç është premtuar nga kompania ndërtuese dhe ministrja e Infrastukturës, Belinda Balluku, ai pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun që rëndohet së tepërmi gjatë sezonit turistik, për shkak të kalimit të numrit të madh të pushuesve nga Kosova dhe vendeve të tjera.
Drejtori i projektit, Altin Ahmeti, tregon se deri tani kanë avancuar në 78.1% të totalit dhe shpjegon se ecuria e punimeve është garanci për mbajtjen e premtimit, që deri në fund të Qershorit njëra anë të jetë e kalueshme në të gjithë gjatësinë e rrugës.
“Gjatësia është 21 kilometra plus 16 kilometra rrugë dytësore. Janë 11 ura, janë 6 nënkalime, 6 mbikalime dhe 144 tombino. Të gjitha këto janë në vlerën 78-80% të realizimit të tyre. Ne kemi dy drejtime të cilat me nga dy korsish 3.75 secila, kemi korsinë e emergjencës 3 metra dhe bankinën 0.7 plus pjesën e trafikndarëses që është 2.6 metra. Shpejtësia është 130 kilometra në orë, që do të thotë banorët e Thumanës dhe zonave përreth aksesimin nga Tirana e kanë rreth 15 minuta”, tha ai.
Drejtuesi i projektit thotë se puna është shoqëruar me një sërë vështirësish.
“Koha e realizimit është mjaft e shkurtër për një objekt të tillë. Pjesa e strukturave që janë goxha të konsiderueshme në numër dhe në gjatësi. Ura më e madhe është 350 metra e gjatë, por janë 11 të tilla, që do të thotë duhet mjaft impenjim që të realizohen brenda kësaj date që ne kemi thënë”, u shpreh ai.
Kjo rrugë po ndërtohet nga kompania Gener 2 me fondet e veta, ndërkohë që kalimi do të jetë me pagesë, me një tarifë që mbetet për t’u përcaktuar nga një komision i posaçëm.
“Për këtë do të jetë njësia e menaxhimit. Do të jetë një sistem tollesh që do të jetë në pjesën e degëzimit të Rinasit. Do të jetë vetëm një pikë. Për pjesën e operimit pastaj do të jetë njësia tjetër që do bëjë operimin përgjatë gjithë kohës”, u shpreh ai.
Rruga e re është marrë me koncension për 35 vite. Shteti shqiptar ka marrë përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit, nëse nuk arrihet plani bazë, të ofrojë mbështetje.
Burimet financiare për ndërtimin e rrugës do të sigurohen nga koncesioni dhe ky i fundit do të marrë në kthim të ardhurat nga tarifat që do të vendosen për kalimin në rrugë përgjatë gjithë periudhës së koncesionit.