Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka reaguar për rezultatin në Kukës, ku kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka humbur përballë atij socialist.
Sipas tij problemi nuk zgjidhet duke kërkuar fajin te tjetri e duke përjashtuar veten, ndërsa shtoi se të gjithë janë fajtorë, por fajtor më i madh është ai që nuk pranon fajësinë.
“Keqardhje për humbjen e thellë të demokrateve në Kukës të cilët kurrsesi nuk e meritonin. Kjo është humbja e fundit në një seri që s’ka të ndalur. Të gjithë faktorët opozitarë duhet të mendojnë për përgjegjësitë seriozisht dhe alternativat për të dalë nga kjo situatë.
Prej kohesh kam insistuar në faktin që shoqëria nuk vjen tek ne me këtë lloj opozitarizmi që bëjmë sot dhe alternative pushteti që shfaqim para tyre për nesër. Kush i shmanget këtij realiteti dëshiron që ky realitet të përjetësohet. Nuk e zgjidh problemin kërkimi i fajit tek tjetri duke përjashtuar veten.
Vetëviktimizimi i perhershem tek e fundit është sëmundje mendore ose hipokrizi. Të gjithë jemi fajtor por fajtori më i madh është ai ose ata që nuk e pranojnë fajësinë. Persa me përket mua ndjesë demokrateve duke ju garantuar që nuk do resht së thëni të vërteten edhe kur ajo djeg”, thuhet ne reagimin e Agron Gjekmarkajt.