Siç e paralajmëroi pak javë më parë, avokati Idajet Beqiri ka dorëzuar ne SPAK të gjitha faktet dhe provat e korrupsionit të Flamur Nokës, të cilat mund ta çojnë në burg.  Një kallëzimin penal ku përmendet mes te tjerash kontrata koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike kur Noka ishte ministër i Brendshëm.

“Më 21 korrik 2008 Ministria e Brendshme ka bërë një kontratë koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin Sagem Securite dhe me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, një organizatë jofitimprurëse. Kompania Aleat, e cila do të zbatonte koncensionin, u themelua gati një muaj më vonë, në 18 gusht 2008, që do të thotë se kur është firmosur kontrata, Sagem Securite nuk ekzistonte në Shqipëri.

Pronaret fundorë të konçensionit janë francezi JEAN-ALAIN JOUAN dhe dy shqiptarët Aleksandër Sarapuli e Martin Mata. Deri në fund të vitit 2021, Shoqëria “Aleat” Sh.p.k ka rezultuar me një fitim neto në total prej 120 milionë euro. Për sa i takon xhiros vjetore përgjatë këtyre viteve, shifra fiksohet në vlerën e 50 miliardë lekëve ose rreth 500 milionë euro, ndërkohë që 2.2 miliardë lekë ose 18.8 milionë euro janë paguar si tatim mbi fitimin.

Nuk është përfshirë këtu fitimi dhe xhiroja e kompanisë për periudhën e vitit 2022 dhe janar-korrik 2023, kur edhe ka përfunduar kontrata. Kjo kompani ka dalë me humbje vetëm vitin e parë, pra në vitin 2008, kur nuk kishte filluar ende të shiste pasaporta. Kontrata e firmosur më 21 korrik 2008 nga Ministria e Brendshme ishte me një afat pesëvjeçar. Në këtë kontratë u parashikua një investim prej 5 milionë euro dhe një fitim rreth 25 milionë euro. Pas këtij afati pesëvjeçar parashikohej transferimi i pajisjeve dhe i aseteve te autoriteti publik’’ thuhet në kallëzimin penal.

Ndryshimi i kontratës

“Në fillim të muajit mars 2013, Flamur Noka, ish ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e kishte marrë në vitin 2012, me aprovimin e ish Kryeministrit Sali Berisha, në kundërshtim me parashikimin në kontratë të transferimit të paisjeve dhe të aseteve autoritetit publik për prodhimin e pasaportave dhe të kartave të identitetit, ka firmosur ndryshimin dhe zgjatjen edhe me 10 vite të tjera të kontratës konçensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike me grupin që kontrollonte kompaninë “Aleat” shpk. Ndryshimi i kësaj kontrate dhe zgjatja e afateve të saj ka disa elementë korruptivë:

1. Zgjatja e konçensionit me 10 vite të tjera ishte një koncension i ri dhe nuk duhej shmangur nga gara, sikurse u veprua.

2. Në kontratën e ndryshuar u rrit në mënyrë të pa argumentuar çmimi i shitjes së kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike. Më konkretisht çmimi i një pasaporte nga 5000 lekë u rrit në 7500 lekë,  ndërsa një kartë identiteti nga 1200 lekë u bë 1500 lekë.

3. Kompania në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012, kishte shënuar fitime marramendëse, ndërkohë që me kontratën e re, duke rritur çmimin e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike, janë shtuar shumëfitimet e kompanisë në dëm të interesit publik dhe financave familjare të shqiptarëve.

4. Nga studimi i kontratës së firmosur nga ish ministri i Brendshëm Flamur Noka rezulton se ajo bazohet në pretendime të rreme e në falsifikime, si dhe është bërë në mënyrë arbitrare, pasi nuk ka një raport zyrtar që konfirmon investimet e pretenduara.

5. Komisioni për monitorimin dhe zbatimin e kësaj kontrate nuk është mbledhur asnjëherë. Nuk ekziston asnjë raport për ecurinë e zbatimit të kontratës.

6. Rezulton se Kompania, ndryshe nga sa ka paraqitur si shpenzime për blerjen e paisjeve për prodhimin e pasaportave dhe të kartave të identitetit, nuk ka blerë asnjë pajisje, por i ka marrë ato me qera, duke ulur kështu koston dhe duke rritur fitimet, në kundërshtim me kontratën. Kompania nuk ka investuar asgjë për blerjen e aseteve dhe nuk i ka dorëzuar asgjë shtetit shqiptar në përfundim të kontratës.

7. Deputetët Sali Berisha, Flamur Noka etj, në datën 23 janar 2023, kanë kundërshtuar transferimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit te Ministria e Brendshme pas mbarimit të kontratës në korrik të vitit 2023.  Zëdhënësja e Sali Berishës, Znj. Floriana Garo, në një deklaratë për mediat në datën 23 janar 2023 ka theksuar: “Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste…” thuhet në kallëzimin penal.

Pasuritë e dyshimta

“Në vitet 2012-2013, që përkon me negociatat dhe finalizimin me nënshkrim prej ish ministrit të Brendshëm Flamur Noka të shtyrjes së kontratës konçensionare edhe me 10 vjet të tjera, në kundërshtim me ligjin dhe me interesat e shtetit shqiptar për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, Flamur Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshne me vlerë të mëdha në euro, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tij nga paga si ish ministër dhe si deputet.

I kallëzuari Flamur Noka ka blerë një apartament, në zonën më të shtrenjtë të Tiranë, te Diga e Liqenit, Pallati me ngjyrë të kuqe, ne katin e dytë të tij, 190 m2 sipërfaqe ndërtimi si dhe një garazh 70 m2, me vlerën 173.400 euro. Po gjatë kësaj kohe ka blerë dy makina, njëra 40 mijë euro dhe makina tjetër 6 milionë lekë. Në fakt vlera e pasurisë prej 190 m2 që Flamur Noka ka blerë dhe ka në pronësi te Diga e Liqenit të cilën e ka deklaruar në shumën prej 173 mijë euro, e ka vlerën reale të saj 1 (një) milionë euro. Sikurse theksuam, të ardhurat e Flamur Nokës janë paga e tij prej 6 vjetësh si roje në Selinë e PD-së dhe më pas si ministër i Brendshëm, si dhe paga e bashkëshortes së tij në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pranë Universitetit të Tiranës.

Ne datën 1 nëntor 2009, Flamur Noka ka përfituar një kredi me zero interes si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, pjesë e bordit të të cilit ka qenë edhe ai vetë. Kredinë prej 50 mijë euro e ka marrë me afat 25 vjet, me këst mujor 16 500 lekë, duke shpërdoruar kështu detyrën. Me këto para Flamur Noka ka blerë një apartament me sipërfaqe 83.7 m2, në katin e 8 të një pallati brenda ish Bllokut në Tiranë. Në kohën që u bë ministër i Brendshëm Flamur Noka e ka shitur këtë apartament nga 50 mijë euro që e bleu me kredinë si i pastrehë, në 180 mijë euro’’ thuhet në kallëzimin penal.

Vila 760 mijë euro

‘’Duke shpërdoruar detyrën në Entin Kombëtar të Banesave, Flamur Noka i ka dhënë vëllait, motrës dhe kunatës së tij 4 apartamente në Sarandë, të cilat në fakt janë pasuri të Flamur Nokës. Flamur Noka, duke shpërdoruar detyrën e ministrit të Brendshëm dhe të deputetit, disponon një vilë prej 760 mijë euro në Kompleksin “LURA 1”, pranë Vilës luksoze të Sali Berishës. Ai banon në këtë vilë ku ka shtëpinë verore edhe Sali Berisha. Kjo vilë është ndërtuar pikërisht në kohën kur Flamur Noka ishte ministër i Brendshëm dhe bëri krimin e zgjatjet së kontratës së prodhimit të pasaportave dhe të kartave të identitetit edhe me 10 vjet të tjera.

Kjo vilë është ndërtuar pasi fshati turistik kishte përfunduar së ndërtuari, për rrjedhojë është bërë ngushtimi i një pjesë të rrugës-unazë, e cila rrethon fshatin rezidencial, vilë e cila gjendet në hyrje të “LURA 1”, në reshtin e parë anës rrugës. Zyrtarisht kjo vilë në të cilën jeton Flamur Noka, në Gjirin e Lalzit, dhe që është pronari “de fakto” i saj, në Kadastër figuron në emër të biznesmenit P. M. njekohesisht kryesor i televizionit të Shkëlzen Berishës “Syri Tv”.  Flamur Noka është hedhur në veprim për ta shitur këtë vilë me qëllim të fshehë gjurmët e krimit të pastrimit të produkteve që rrjedhin nga një krim’’ thuhet në kallëzimin penal.

Vjedhja që e nxori zbuluar

‘’Në vitin 2014 një grup hajdutësh i përbërë prej Arnold Karaj dhe Donald Vatnikaj, banues në Kodër Kamëz, kanë vjedhur me thyerje vilën e Flamur Nokës, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme eurosh, por që Flamur Noka nuk i ka denoncuar. Këta dy persona janë arrestuar, janë hetuar dhe gjykuar për këtë vjedhje, si dhe për vjedhjen e dy vilave të tjera të A. Ristanit dhe S.Kodrës. Në dosjet gjyqësore penale të këtyre dy personave të dënuar për vjedhjen e vilës së Flamur Nokës ka prova indirekte që vërtetojnë faktin se Vila 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit është e Flamur Nokës, rrjedhojë e pastrimit të parave prej tij.

Flamur Noka ka kryer edhe një krim tjetër të rëndë, duke shpërdoruar detyrën si dhe duke manipuluar zgjedhjet elektorale. Ai i ka dhënë një bashkëfshatarit të tij Azem Tahiri një shumë të konsiderueshme euro si dhe kodet e prodhimit të kartave të identitetit, me qëllim që ky person, së bashku me shtetasin Eduard Zeneli nga Fieri, të prodhonin me shumicë karta identiteti në Greqi, ku edhe punonin dhe jetonin. Këto karta identiteti Flamur Noka i ka shpërndarë te njerëzit e besuar të tij, të cilët kanë votuar 5 herë me karta të ndryshme identiteti. Këta dy persona, Azem Tahiri dhe Eduard Zeneli janë arrestuar në Greqi për prodhimin e kartave shqiptare të identitetit, u janë sekuestruar pajisjet dhe kodet e prodhimit të këtyre kartave dhe janë dënuar penalisht, duke e vuajtur dënimin në Burgun e Koridhalos në Greqi”, thuhet në kallëzimin penal.

Në fund avokati kërkon që të merren në pyetje të gjithë personat që përmenden më sipër dhe të hetohet burimi i pasurive të Flamur Nokës.

Shqiptarja.com