Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka publikuar në llogarinë e tij pamjet e vendit ku do të mbahet takimi i përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, e kryesuar nga homologu Edi Rama dhe ministrat.

“Gjithçka është gati për G2G, pa dyshim ngjarje me rëndësi rajonale. Nesër mirëpresim delegacionin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i përbërë nga të gjithë ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre”, shkruan ai.

Abazoviç thotë se në mbledhjen e përbashkët do të nënshkruhen 11 marrëveshje të rëndësishme. “Do nënshkruajmë 11 marrëveshje. Janë akredituar mbi 80 përfaqësues të mediave.”

“Do të bëjmë çmos që të jemi më shumë se mikpritës të mirë dhe të dërgojmë një pamje të Malit të Zi ndryshe dhe modern me mbledhjën e përbashkët të dy qeverive në godinën e sapohapur të CANU-s. Po zhvillojmë një politikë të fqinjësisë së mirë dhe po dërgojmë mesazh paqeje dhe bashkëpunimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, përmbyll Dritan Abazoviç.