Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi mohoi që me qëndrimin e tij kundër disa vendimeve të kryesisë po tenton krijimin e një poli të tretë në PD.

Në një intervistë për Euronews Albania, Bardhi u shpreh se qëndrimi i tij dhe pjesës më të madhe të grupit parlamentar të PD lidhet me nevojën që partia të riorganizohet duke nisur nga baza.

“Bëhet fjalë për atë se si unë dhe pjesa më e madhe e kolegëve brenda grupit duan ta shohin PD.

Nuk kemi kundërshtuar riorganizimin e PD, madje e kemi quajtur emergjencë edhe pse qëndrimi ynë u keqinterpretua dhe u tha sikur ne donim të zgjasnim procesin.

Qëndrimi ynë ishte që partia vazhdon të jetë e ndarë në dy pjesë, ndaj në konceptin  tonë partia ka nevojë për një rindërtim duke nisur nga qeliza, që është baza”, tha Bardhi.