Kryeministri Edi Rama ishte sot në Prishtinë, ku mori pjesë në një konferencë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Kreu i qeverisë u takua me presidenten Vjosa Osmani, por jo me homologun e tij, Albin Kurti.
Gjatë konferencës me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kreu i qeverisë shqiptare u ngacmua nga gazetarët për faktin që kjo është hera e dytë që ai nuk u takua me Albin Kurtin.
A ke ndonjë porosi për vëllain e vogël? U pyet Edi Rama nga gazetarët. Mes batutave ai u përgjigje: “vëllain e vogël e kam në Tiranë është drejtori i klubit Partizani, është Olsi Rama”.
Pyetje: A keni ndonjë porosi për vëllain e vogël që është hera e dytë që nuk e takoni?
Rama: Vëllain e vogël e kam në Tiranë është drejtori i klubit Partizani, është Olsi Rama. Më bëtë pyetje me shpresën që do më fusnit në kurth, por jam mësuar me këto kurthe, por po rashë në kurth hidhem vetë nuk më fut dot njeri.
Pyetje: A mendoni se ka lider unifikues në Kosovë?
Rama: Nuk është çështje personash, është çështje e ndarjes interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Unë besoj që kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre ata janë një. Në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe pakicave dhe brenda gjërat mund të diskutohen, por interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai mbi të cilin përcaktohet edhe mënyra si të tjerët na shohin.