Në seancën e kësaj të hëne, Parlamenti nuk votoi për shkarkimin nga detyra të ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj. Në mënyrë që të kryhet kjo procedurë, fillimisht duhet të lirohet nga detyra e kryetarit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, i cili do e zëvendësojë Ibrahimajn. Sot u realizua pikërisht ky votim, shkarkimi i Metes. Sipas procedurës së Kuvendit, Ervin Mete depozitoi kërkesën për largim nga posti i drejtor të AMF, dhe kjo u votua në seancën plenare të ditës së sotme. Shpjegimin për këtë ngërç procedural e ka dhënë Eduard Shalsi, i cili në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ka sqaruar se: “Si rregull Kuvendi para se të miratojë detyrën e Ervin Metes si ministër i Financave, duhet të miratojë dorëheqjen e tij nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe posti i drejtuesit të këtij institucioni. Pra votohet vendimi për lirimin e zotit Ervin Mete. Miratohet. Zoti Erion Braçe është kundër”, tha Shalsi. Votimi i fshehtë për largimin e Ervin Metes nga AMF ka marrë 95 vota pro, 1 votë abstenim dhe 5 vota kundër. Deri në seancën e ardhës, Delina Ibrahimaj do të qëndrojë në postin e ministres së Financave në detyrë, ndërkohë që s’ka marrë ende postin e Edona Bilalit, e cila u shkarkua nga posti i ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Në seancën e radhës do të votohet për dy ministrat Mete dhe Ibrahimaj.