Shqipëri spektakolare, fantastike, e jashtëzakonshme me njërën këmbë në Euro 2024. Edhe tre finale nga fundi i eleminatoreve Kombëtarja ndriçon Tiranën dhe gjithë shqiptarinë me një fitore zemre ndaj Polonisë.
Mbyllet 2-0 në “Arenën Kombëtare”. Duel që pati gjithçka brenda, golin e anuluar për Poloninë në minutat e para, super realizimin e Jasit Asanit me të majtën fantastike dhe veprimin individual prej bomberi nga ana e sulmuesit gjilanas, Mirlind Daku që shënoi vetëm pak sekonda pasi hyri në fushën e lojës.
Që nga jugu i Strakoshës e deri në Shkupin e Asanit dhe Gjilanin e Dakut, Shqipëria ishte kjo, një e bashkuar në një ndeshje shumë të vuajtur ku skuadra e drejtuar nga Sylvinho bëri pikërisht atë që i kërkoi trajneri në çdo hap.
Në momentin më të vështirë, ashtu si në Pragë, Jasir Asani nxorri nga repertori një perlë dhe më pas me fillimin e së dytës skuadra vuajti edhe më shumë por muri mbrojtës dhe bindja që nga kjo ndeshje mund të dilnin me tre pikë, i bëri kuqezinjtë të luftonin që të gjithë si një trup i vetëm duke u imponuar miqve një mbrëmje makthi sepse me këtë disfatë Polonia zbret sërish në vendin e katërt të grupit ku ligjin e bëjmë ne me 10 pikë, të ndjekur nga Çelkia dhe Moldavia me 8 e Polonia me 6.
Takimi i radhës është në datën 12 tetor në të njëjtin stadium, përballë të njëjtës tifozeri fantastike në “Arenën Kombëtare” për aktin e radhës që mund të vulosë përfudnimisht pjesëmarrjen e dytë të Shqipërisë në një europian pas rrugëtimit fantastik 7 vite më parë në Francë.
GOLI I ASANIT
GOLI I DAKUT