Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Mësohet se asnjë nga gjyqtaret nuk mori të paktën 5 votat e nevojshme. Në garë për kreun e Gjykatës Kushtetuese janë Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj.
Raundi i dytë do të zhvillohet më 17 shkurt. Sipas ligjit kur raundi i parë dështon, në raundin e dytë zgjidhet kryetar gjyqtari që merr më shumë vota. Nëse votat do të jenë të barabarta mes dy kandidatëve, kryetari zgjidhet me short.
Njoftimi i Gjykates:
Sot, më 15 shkurt 2023, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të parashikimeve ligjore, zhvilloi seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Pas prezantimit të platformave dhe vizioneve të kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj u vijua më tej me raundin e parë të votimit. Në përfundim të këtij procesi asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të zhvillojë raundin e dytë të votimit në datën 17 shkurt 2023, ora 10:00.