Korrupsionin në komisionet e prokurimeve publike, qeveria synon që të luftojë me anë të teknologjisë së fuqizuar nga Inteligjencia Artificiale.
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama bëri të ditur se AKSHI është duke punuar ngushtë me skuadrën e platformës Open AI ( që ka zhvilluar Chat GPT), në mënyrë që komisionerët të “nxirren” nga loja.
Në këtë mënyrë, shtoi Rama, ulet numri i atyre që mund të përfundojnë në SPAK, vetëm se nuk janë në dijeni se çfarë po firmosin.
“Ne sot kemi mundësi që jo vetëm ta dëshirojmë sa mirë do ishte ta bënim, por ta bëjmë pse jo brenda këtij mandati, kalimin në një sistem prokurimesh komplet teknologjike.
Përmes Inteligjencës Artificiale që i bën të panevojshme të gjithë komisionet e tenderave. Me këtë rast kemi edhe më pak kandidatë për t’u futur në komisione. Dhe më pak që shkojnë përfundojnë SPAK-ërave nga injoranca. Një pjesë e tyre nuk e dinë fare për çfarë kanë firmosur”, tha ai.
Në këtë mënyrë, sipas kreut të qeverisë, do t’i kursehen shtetit, kohë dhe fonde.