Në intervistën e radhës për mediat italiane, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u fokusua sërish në bum-in turistik që po përjeton Shqipëria këtë vit.

Sigurisht “meme-ja” tashmë e famshme ku ai paralelizonte ikjen e shqiptarëve në vitin 1991 drejt Italisë me ardhjen sot të turistëve italianë në Shqipëri ishte pyetja e parë që iu bë në intervistë.

“Mbi të gjitha nuk ishte një ironi për askënd, por ishte një shaka, mendoj se duhet të qeshim kur kemi momente të gëzuara dhe kur kupton rrugën që kemi bërë për të arritur këtu”- tha Rama.

“Këtë vit është vërtetë i jashtëzakonshëm sepse kemi bum turistësh dhe surpriza e madhe janë italianët që po shkojnë gati gjysmë milion turistë që kanë ardhur në Shqipëri. Kjo na gëzon sepse ne e duam Italinë dhe të shohësh këtu italianët është një kënaqësi e madhe morale, në sensin se Italia na mirëpriti për shumë vite dhe ti bëjmë tani italianët që të ndihen si në shtëpinë e tyre këtu, është ajo që kemi ëndërruar.”- tha në kryeministri në intervistë e tij për “Rai News 24”.

“Shqipëria së fundmi po reklamohet për bukuritë dhe sidomos për çmimet konkurruese në rajon dhe më gjere. I pyetur për çmimet e ulëta dhe bukurinë e vendit që reklamohet ai tha:Për sa i përket bukurive të natyrës shqiptare kjo nuk e vendos Italinë në vend të dytë por Shqipëria është një Itali e vogël dhe sigurisht është e qartë që nuk është një vend i shtrenjtë për turistët e huaj dhe ata italianë. Kostot janë shumë më të ulëta se në Itali ndërsa bukuria e natyrës është e njëjta”.