Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka zbardhur dje arsyet pse i prishi marrëdhëniet me Berishën dhe tregoi skenarin diabolik të Ilir Metës për të gllabëruar Partinë Demokratike. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, zonja Kokalari  është shprehur se krisja e marrëdhënieve të saj me ish-kryeministrin Berisha, nisi që pas kuvendit të 30 Prillit që sipas saj, ishte një manipulim dhe nuk solli ndryshimin e premtuar në PD. “Ideja ishte që ne donim një PD komplet të ndryshuar, por kjo nuk ndodhi.

Që nga formimi i komisionit të rithemelimit, PD-ja mori për poshtë, që me protestën e 8-janarit. Për më tepër çfarë pash pas kuvendit të 30 Prillit që ishte manipulim dhe ishte kundër asaj që ne kishim premtuar, më erdhi shumë keq që Berisha nuk e bëri ndryshimin që premtuam të gjithë”, deklaroi ajo.

Kokalari sulmon Metën

Më tej Kokalari theksoi se bashkimi me LSI-në nuk do i sjellë asgjë të mirë Partisë Demokratike. Ajo shtoi se Ilir Meta është mbrapa Belind Këlliçit dhe ambicies së tij për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike.

Aktivistja sulmon Albana Vokshin

Ndërkohë aktivistja Evi Kokalari ka deklaruar se familjarë të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi kanë pasur interes për 4 puse nafte në Fier, të cilat kanë një vlerë shumë të madhe. Kokalari u shpreh se ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, kur i ka thënë kryeministrit Edi Rama që të bëjë kujdes me koncesionin e puseve të naftës, ka dashur të ndihmojë konkurrencën e familjarëve të deputetes.

“Pjesëtarë të familjes së Albana Vokshit kanë pasur interes në puset e naftës në Visokë në Fier dhe kompani të tjera që McGonigal duket sikur i ka ndihmuar, ka pasur interes. Kanë qenë në konkurrencë me personat e familjes së Albana Vokshit. Nuk kam thënë që këta kanë qenë bashkë, ka qenë konkurrencë për 4 puse nafte me shumë vlerë. Kam idenë që kur McGonigal ka shkuar te Rama dhe i ka thënë të bëjë kujdes kujt t’ia japë koncensionin e këtyre pusetave, ka dashur të ndihmojë konkurrencën e familjarëve të Albana Vokshit”, nënvizoi Kokalari.