Sali Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të partisë së vet tha se tashmë nis një faze e re dhe e vështirë.
Berisha deklaroi se u angazhuan që në 14 maj të kishte zgjedhje të lira, por ai deklaroi se me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira.
“Hapim siparin e një etape të re në jetën e Partisë Demokratike. Në fakt ne hyjmë në njërën nga periudhat më jetike, më të vështira, por dhe me vendimtaret për rolin e kësaj partie.
Në këtë sallë muaj më parë, së bashku kemi qenë dakord se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka dhe se misioni ynë kryesor është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët. Por kemi qenë dakord që ne të angazhoheshim me potencialin tonë në fushatën elektorale të 14 majit 2023.
U angazhuam se do mbrojmë votën në kuptimin që ne nuk do mbronim me armë votën, por do bënim gjithçka për të konstatuar, për të denoncuar çdo shkelje, cdo abuzim me votën e shqiptarëve”, tha Berisha.
Sipas Berishës, është hartuar një raport prej 600 faqe dhe do të shpërndahet në gjithë botën si dëshmi se ato zgjedhje ishin farse.
“Raporti është 600 faqe. Është nisur në qendrat e specializuara që merren me zgjedhje të lira dhe do shpërndahet kudo në botë si dëshmi se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit shqiptar.
Ato ishin zgjedhjet e para në të cilat për herë të para armiku i votës së shqiptarëve shpalli kinezëri kodin zgjedhor, asgjësoi cdo mbrojtje dhe garanci ligjore që ky kod u garanton pjesëmarrësve në garën elektorale.
Së bashkiu me Kodin Zgjedhor Rama shkelmoi parimet kushtetuese, ato të kartës së Kopenhagënit, të Kodit të Venecias dhe kushtetutës së vendit”, tha Berisha, ndërsa theksoi se “këto zgjedhje ishin të pabarabarta dhe rezultati nuk do të pranohet kurrë”.