Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me rolet e të arrestuarve, që dyshohet të jenë përfshirë në 4 ngjarje kriminale. Ish-efektivi i policisë, Edmond Preka, prej kohësh punonte si shofer i Pëllumb Gjokës dhe mësohet se në vrasjen e Gjon Ndojt dhe në atentatin ndaj Klent Musabelliut kishte rol aktiv.
Kjo vrasje dyshohet të jetë bërë nga Behar Bajri dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij. Një tjetër ngjarje ku Preka është përfshirë, mësohet të jetë ajo e planifikimit të vrasjes së Kleant Musabelliut, ish-punonjës i drejtorisë së Burgjeve.
Ai ka informuar grupin e Ervis Martinajt, duke i siguruar foto dhe të dhëna mbi lëvizjet e shënjestrës. Në këtë rast ai ka krijuar kushtet për vrasjen. Ky atentat dështoi për rrethana ende të paqarta deri më sot nga autoritetet.
Vrasja e Musabelliut, fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri, i cili flet me Gjokën dhe i thotë se kishte gjetur tre vrasës të huaj: një arab, një nga Kosova dhe një serb. Ata kërkonin 100 mijë euro, teksa Gjoka i thotë që nëse është nevoja t’i japin edhe më shumë. Por Bajri del garant duke i thënë, që për kaq para do ta bënin vetë.