Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është shprehur se 3 njerëz në arrati marin para nga buxheti i shtetit.

Komentet Bardhi i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke etiketuar ish-ministrin Arben Ahmetaj dhe biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

“Zonja drejtuese e seancës, unë i bashkohem asaj që ju thatë, respekt maksimal për cunat e gardës që janë këtu, por nuk ka asnjë nevojë për prezencën e tyre këtu. Ata duhet të veprojnë vetëm me urdhër të kryetares së Kuvendit. Hajdutët zakonisht fshihen nga frika.

Vetëm në një dosje si ajo e inceneratorëve, ka dalë gjysma e qeverisë. Kemi kërkuar prezencën e kryeministrit.

Çfarë nevoje ka kryeministri të fshihet pas Elisës, Oltës, etj. Pse duhet ky njeri që sjell ligjet e Klodian Zotos, të fshihet pas votës së kolegëve të maxhorancës.

Si ka mundësi, kemi 3 njerëz sot në arrati, Arben Ahmetajn, ka marrë rrogën sot ai, sot merr 200 mijë lekë. Nga ana tjetër kemi 2 mafjozët e inceneratorëve që jetojnë në Vjenë dhe marrin 80 mijë euro në ditë.

BE e ka kapur Ramën dje në vjedhje, ky i jep mend BE-së se çfarë duhet të bëjë me Kosovën. Të vijë këtu të japë llogari.

Të japë llogari për pezullimin e fondeve të bujqësisë. Zonjë ti ki kujdes, bëhet fjalë për periudhën që ke drejtuar AZHBR-së dhe hetimet janë në vijim.

Por nuk është përgjegjësia juaj. Pezulloni seancës, thirreni Ramën sepse më kanë thënë që prapë ka shkuar në plazh, boll është nxirë nga horrlliqet…”, është shprehur Bardhi.