Në 6-mujorin e parë të këtij viti, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka vendosur 14 gjoba për shkelje të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike. Teksa temperaturat e larta rritin rrezikun e shpërthimeve të bombolave të gazit, TV SCAN ka përpunuar të dhënat mujore të publikuara nga ky dikaster ku rezulton se penalizimet për 6-mujorin e parë të këtij viti, janë minimale në krahasim me vitet e kaluar.

Në fakt, vetë Inspektorati ka theksuar vitet e kaluar se temperaturat e larta rritin rrezikun për shpërthime, ndaj e dmosdoshme që të gjithë operatorët ekonomikë të mos shfrytëzojnë pajisje nën presion pa i çertifikuar teknikisht dhe pa i pajisur me dokumentacionin teknik. Gjithashtu, edhe konsumatorët familjarë duhet të jenë të kujdeshëm dhe të vëmendshëm, kur marrin bombolat e gazit, pasi duhet të sigurohen paraprakisht se bombolat të jenë të kolauduara, çka do të thotë që të jenë të certifikuara me të gjithë elementët teknikë të sigurisë.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj deri më tani nuk ka pataur asnjë njoftim publik për intensifikim kontrollesh, teksa eksperienca e viteve të kaluar ka treguar se këto hapa përgjithësisht ndërmerren pasi ndodhin incidente. Këtu mund të përmenden rasti në Velipojë, ku për shkak të shpërthimit të bombolës së gazit në një komplesk turisktik u shënuan edhe viktima apo shpërthimi në një çerdhe të Tiranës disa vite më parë, që fatmirësisht, ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit, kur fëmijët dhe personeli nuk ishin të pranishëm.(Ola Mitre)