Është gjetur pas më shumë se dy vitesh e humbur shtetasja Etleva Biçaku.
Në 23 janar të vitit 2021, Biçaku u deklarua e zhdukur nga familjarët e saj, të cilët nuk ndalën kërkimet për të. Mësohet se Biçaku është gjetur ditën e sotme në fshatin Libofshë të Fierit, ndërsa aktualisht ndodhet në komisariatin e policisë në këtë qytet, në pritje të familjarëve të saj.
Biçaku ishte ndarë pas një martese gjashtë vjeçare në momentin që u zhduk. Ajo vuante nga depresioni dhe kishte qëndruar për disa kohë e shtruar në Spitalin e Elbasanit.
Familjarët dyshonin se ajo mund të ishte mbytur në lumin Shkumbin, pranë banesës së tyre. Ata e kërkuan përmes disa emisioneve televizive si dhe duke kërkuar ndihmën e qytetarëve në rrjetet sociale.
Për fat të mirë ajo është gjetur shëndoshë, ndërsa mbetet e paqartë se ku ka qëndruar gjatë këtyre dy viteve.