Thuajse 62 mijë njerëz kanë humbur jetën për shkak të të nxehtit vitin që shkoi në Europë teksa kontinenti i vjetër regjistronte verën më të nxehtë në histori. Të dhënat vijnë nga një studim i botuar së fundmi që jep akoma më shumë prova se i nxehti është një vrasës i heshtur.

Studimi u publikua të hënën në revistën Nature Medicine dhe zbuloi se 61,672 persona humbën jetën në Europë për sëmundje të shkaktuara nga i nxehti mes 30 majit dhe 4 shtatorit të vitit të shkuar.

Italia ishte vendi më i goditur me 18 mijë vdekje, i ndjekur nga Spanja me 11 mijë dhe Gjermania me 8,000.

Studiuesit zbuluan po ashtu se i nxehti ekstrem dëmtoi rëndë të moshuarit dhe gratë. Nga 62 mijë vdekjet e analizuara, shkalla e vdekshmërisë nga i nxehti ishte 63% më e lartë te gratë sesa te burrat. Mosha rezultoi po ashtu një faktor i rëndësishme, ndërsa bilanci i viktimave u rrit ndjeshëm për njerëzit mbi 65 vjeç.

Studiuesit analizuan të dhënat e temperaturës dhe vdekshmërisë midis 2015 dhe 2022 për 35 vende evropiane, që përfaqësojnë një popullsi totale prej 543 milionë njerëzish dhe i përdorën ato për të krijuar modele epidemiologjike për të llogaritur vdekjet e lidhura me nxehtësinë.