Nga Ylli Pata
Mario Francese, ishte një palermitan i thekur. i lindur e i rritur në qendrën e Siçilisë. Historinë, kulturën, por edhe problemet e ishullit dhe qytetit të tij, e kishte shumë për zemër. Familjar i rregullt, i edukuar e me humor, e kishte nisur karrierën si gazetar kronist në agjencinë e lajmeve të Italisë Ansa. Më pas raportoi për gazeta të ndryshme kombëtare e me këmbënguljen e një miku të tij punoi edhe në zyrën e shtypit të bashkisë së Palermos.
Por u mërzit shpejt, e u rikthye në gazetari. Në gazetën, Giornale di Sicilia, një media prestigjoze dhe me mjaft integritet jo vetën në ishull e Itali, por edhe në Europë, për profesionalizmin dhe guximin intelektual sidomos në lidhje me një temë që për Siçilinë është kthyer në legjendë botërore; Mafia-n.
Mario Franceze drejtoi në gazetën e Palermos një grup fantastik reporterësh së kronikës gjyqësore siç i thonë atje, e ne në Shqipëri, i themi “kronika e zezë”. Në redaksi, kishte edhe djalin e tij, reporter, i cili për të mundur hijen e të atit shkonte më herët e ikte më vonë.
Mario ishte një nga legjendat e gazetarisë italiane, pasi ai nuk e trajtonte mafia-n si panelistët-kronistë të televizioneve tona, apo si OJF-stët e seminareve. Për ta thënë më qartë, ai ishte gazetari i parë dhe i vetëm që intervistoi një nga mësueset më të mira të një shkolle private katolike të Siçilisë. Ajo quhet Antonietta Bagarella, e që thirrej Ninneta. As më pak e as më shumë por gruaja e Toto Riina-s. Në atë kohë, burri i zysh Ninneta-s ishte krau i djathtë i shefit të klanit të Corleones së Cosa Nostra-s Siçiliane, doktor Luciano Leggio-s.
Pikërisht intervista me gruan e njeriut që u kthye në një nga bosët më të fuqishëm të krimit të organizuar botëror, tregonte nuhatjen e profesionalizmin e Marios që dontë të tregonte se kush ishin njerëzit që kishin aq pushtet e i friksoheshin të gjithë.
Por Mario shkroi shumë histori për mafia-n siçiliane, pjesën më të madhe nga kronikat gjyqësore, hetimet e prokurorisë, por edhe jetën e tyre ekonomike. Edhe pse pati “guximin” të flasë me Ninnetën, për të cilën Totto Riina ishte xheloz, Marios nuk i ndodhi gjë, as kur shkroi për historitë me xixa e të vrarë të ushtarëve të bossit të Corleones. Gjithçka ndodhi në janarin e 1979, kur Mario Franceze, kishte guxuar të shkruante për një gurore afët Palermos. Gurorja që furnizonte me materiale ndërtimi thuajse të gjitha kompanitë që po ndërtonin një qytet të tërë, duke prishur vilat e kopshtet antike të qytetit magjik të ishullit. Mario shkroi se gurorja ishte pronë e familjes Riina nga Corleone.
E Toto, i cili sapo ishte graduar si Kryetari i Komisionit të Cosa Nostra-s, thënë ndryshe mbreti i mafias siçiliane, dërgoi Leoluca Bagarella-n, vëllain e gruas së tij, Ninnetës poshtë shtëpisë së Mario Francese-s. i cili, më 26 janar të 1979 zbrazi një karikator mbi trupin e gazetarit që po hynte në pallatin e tij në qendër të Palermos. Ndoshta i ka shfryrë edhe inatin për motrën e tij që e kishte telendisur vite më parë në gazetë. Por në atë kohë nuk u prek në sedër, por u nxef vetëm kur i shau guroren.
Të cilat janë një nga mjetet më identifikuese të simbiozës mes politikës dhe krimit të organizuar, apo siç quhet ndryshe krimi me kollare.
Mario Franceze, u vra sipas hetimeve që u bënë më vonë dhe ka procese gjyqësore për këtë, sepse po nxirrte lidhjet e gurores me materialet e njerëzit që jepnin lejet e licensat. Që ishin politikanët.
E meqë ra fjala për politikanët, pra në Shqipëri, a kanë gurore politikanët? Prej disa vitesh ka shkrime pa fund në Shqipëri që gurore të granilit, gurit dekorativ, por mbi të gjitha materialeve kryesore për çimento e beton, janë nën kontrollin e politikanëve të lartë. Janë përmendur shumë emra, nga të gjitha pjesët e politikës, por mbi të gjitha një superpolitikan që ka qenë edhe kryeministër, edhe kryetar Parlamenti edhe President i Republikës. Natyrisht edhe të tjerë: ministra deputetë, por edhe drejtues vendor e kryetarë bashkish. Thjesht në Shqipëri nuk ka një Mario Francese, që të rrëfejë me detaje se kush janë pronarët e vërtetë të gurores. Por ka nga ata që pronarët e vërtetë paguajnë për të folur për pronaret e guroreve të vogla. Nga ata që janë rivalë e kundërshtarë.
Në Shqipëri, përplasja e madhe politike ka ndodhur më shumë për guroret. Janë rrëzuar qeveri me akuza për gurore, ka pronarë medias që kanë gurore, etj etj. Së shpejti do të kemi një luftë të madhe panelesh për guroret, por natyrisht jo një Mario Francese. Larg qoftë jo për fundin tragjik të tij, por për shkrimin që të nxjerrë emrat e pronarëve të vërtetë të gurorëve. Natyrisht jo thjesht në Krujë, nga ku thuajse gjithmonë deputetet dilnin nga lobi i guroreve, çimentos apo i Gëlqeres. Njëri madje që ka vite që s’është në pushtet më por thonë që ka një dhomë të madhe me çelsat e shtëpive që ka marrë si klering për betonin, granilin e gëlqeren që ka dhënë për pallate.
TemA