Holanda mbetet investitori i huaj më i madh në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet holandeze në tre muajt e parë të vitit 2023, përbënin 20% të fluksit total me rreth 62 milion euro investime të huaja direkte.

Kompanitë me aksionarë holandez kanë dyfishuar investimet krahasuar me vitin e kaluar. Në fund të tre mujorit të parë të vitit, këto kompani kanë prodhuar një fitim prej 1.94 miliardë euro.

Sipas ekspertëve, një arsye përse Holanda kryeson në renditjen e investitorëve të huaj, është fakti se përmban një nga juridiksionet më lehtësuese nga pikëpamja tatimore.

Në Holandë regjistrohen shumë kompani offshore. Kompani të cilat regjistrohen në juridiksionin e një shteti por ushtrojnë aktivitetet e tyre në një shtet tjetër. Këto kompani kontrollojnë investime ndërkombëtare të grupeve të ndryshme biznesesh.

Arsye tjetër përse këto kompani janë të preferuara është fakti se legjislacioni i garanton shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e përfituesve real të këtyre kontratave.

Emra të shumtë të përfolur në tregun shqiptar, të cilët kanë përfituar kontrata koncesionare në Shqipëri, rezultojnë të regjistruara në Holandë.

Investitori i dytë më i madh për tre mujorin e parë të vitit, ishte Italia me 43 milion euro investime, në rritje me 43% krahasuar me vitin e kaluar. Stoku I kompanive italiane ka gjeneruar 1.25 miliardë euro.

Turqia renditet e treta me 35 milion euro investime, në rritje me 9.4%.

Në rritje rezultojnë dhe investimet franceze, me vlerën 47 milion euro, si dhe ato austriake me 27 milion euro, 29% më shumë sesa vitin e kaluar.

Në rënie investimet gjermane, të cilat në vitin 2022 ishin të tretat më të mëdha pas Holandës dhe Italisë. Ato janë ulur ndjeshëm me 77%, duke prodhuar vetë, 9 milion euro.