Kombëtarja shqiptare ka vijuar në ditën e tretë përgatitjet për dy ndeshjet e kualifikueseve të Europianit 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Përveç seancës stërvitore këtë pasdite stafi teknik ka organizuar edhe një miqësore me Kombëtaren U-19 në Shtëpinë e Futbollit, teksa trajneri Silvinjo ka pasur mundësi të testojë grupin që ka aktualisht në dispozicion në një ndeshje kontrolli.

Testi stërvitor zgjati për 60 minuta me ekipet që luajtën në fushë me përmasa më të vogla se ajo standarde, duke provuar kështu gjendjen reale të lojtarëve. Sakaq, disa nga lojtarët të cilët kanë mbërritur më vonë në grumbullim u stërvitën veçmas me përgatitësin atletik.

Më konkretisht Sokol Cikalleshi, Mario Mitaj dhe Qazim Laçi u stërvitën vetëm në palestër dhe ushtrime fizike në fushë për të mos marrë shumë ngarkesa fizike, ndërsa nga nesër do të stërviten normalisht me grupin.

Nesër me grupin pritet të bashkohen edhe disa nga lojtarët e tjerë, duke formuar kësisoj gradualisht grupin përfundimtar të thirru për këto dy sfida.

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë kundër Moldavisë më 17 qershor në stadiumin kombëtar “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor, kuqezinjtë do të luajë në transfertë ndaj Ishujve Faroe.