Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar në lidhje me lirimin nga burgu të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Kim thotë se është e zhgënjyer nga vendimi i gjykatës së Elbasanit.
Diplomatja amerikane paralajmëron se kushdo që është i përfshirë në lirimin e Tahirit, do të përballet me pasoja.
“Shumë e zhgënjyer të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një vend aleat të NATO-s dhe aspirant të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shprehet ajo.