Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, pas largimit të Lulzim Bashës. Alibeaj ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e shefit të grupit parlamentar të PD-së.
Alibeaj: Kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë
“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar…. Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen. Ka qenë një vendim i kryesisë që vendosi që pozicionin drejtues ta mbaja deri pas zgjedhjeve vendore. Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike”, tha Alibeaj.
Alibeaj deklaroi se Partia Demokratike duhet të organizohet nga e kaluara kapilare dhe sipas tij duke të ndahet nga e kaluara “berishiste”.
Ai tha se nën drejtimin e tij, partia ia dol itë kalojë sfidat më të rënda që nga themelimi, duke e mbajtur edhe qëndrimin pro-evropian dhe pro-amerikan.
Alibeaj: Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare
“Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en. Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend. Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi”, tha Alibeaj.
Duke u ndalur të zgjedhjet e 14 majit, Alibeaj u shpreh se Partia Socialiste fitoi sërish në ato bashki si edhe 4 vite më parë kur nuk kishte kundërshtarë e për pasojë, sipas tij, sërish ka monizëm.
Alibeaj: Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm pushteti
“Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm pushteti – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë. Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës… Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja”, deklaroi Alibeaj.
Nga 61 bashki, prej tyre 53 do të drejtohen nga Partia Socialiste, shtatë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Bashkia e Finiqit në jug të vendit do të drejtohet nga partia minoritare greke, MEGA.