Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i dha një mesazh të qartë institucioneve ligjzbatuese, që të ndëshkojnë të gjitha subjektet politike që do të blejnë votat e qytetarëve në zgjedhjet vendore të 14 majit,

Të gjithë që kanë të drejtë për të votuar, duhet të votojnë, kemi parë raportime për blerje dhe shitje votash dhe shpresojmë që autoritet do të bëjnë detyrën e tyre, nëse disa po thonë se po blen vota për një parti politike, ndaj kësaj partie politike duhen ndërmarrë veprime.

Deklarata e ambasadores erdhi pas disa raportimeve për shitblerje të votave, ku episodi i fundit ishte ai për Kuçovën.

Apeli i diplomatëve vjen në kohën kur fushata zgjedhore po shkon drejt fundit dhe në përgjithësi është shoqëruar me incidente të vogla, dhe denoncime kryesisht nga kampi opozitar. Përfaqësues dhe kandidatë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por jo vetëm, kanë tërhequr vëmendjen për kërcënime e shantazhe, si dhe përpjekje për tjetërsim të vullnetit politik. Nuk kanë munguar as denoncimet për akte dhune.