Gjykata e Apeli ka publikuar sot vendimin e zbardhur të datës 3 mars, që i dha siglën dhe vulën e PD kreut të komanduar Enkelejd Alibeaj.
Gjykata rrëzoi vendimin e gjyqtarit të shkallës së parë, Agron Zhukri, i cili që më 25 mars të vitit të shkuar, pranoi regjistrimin e statutit të Foltores, logos dhe vulës së grupimit Berisha, duke legjitimuar Sali Berishën në krye të PD-së. Apeli e ka rrëzuar këtë vendim si të pabazuar, ndërsa ka urdhëruar gjykimin e kësaj çështje nga një tjetër gjyqtar në shkallën e parë.
Apeli thekson se gjyqtari Agron Zhukri ka qenë i njëanshëm në gjykimin e kësaj çështje dhe se kërkesa e tij për të dhënë dorëheqjen duhet të ishte pranuar. Në vendimin e Apelit thuhet se kërkesa e Agron Zhukrit për të hequr dorë nga gjykimi është shoqëruar me prova, pasi bashkëshortja e tij ka qenë sekretare e Sali Berishës, ka miqësi me Berishën etj.
Zhukri gjithashtu është përjashtuar në gjyqe të tjera ku palë ka qenë Sali Berisha pikërisht për shkak të konfliktit të interesit. “Në vlerësimin e Gjykatës së Apelit, vendimi i kryetarit të gjykatës për mospranimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi i çështjes, është i paarsyetuar dhe i paargumentuar…”, thuhet në vendim.
Ndryshe nga sa pretendohej nga grupimi i Berishës, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Partia Demokratike gëzonte legjitimitet për të bërë ankim, pasi është personi juridik ndaj të cilit është zhvilluar gjykimi në shkallën e parë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë.