Në kërkesën e avokatëve për pushimin e çështjes, thuhet se më datë 14 shtator 2009, ditën kur Fatmir Mediu u rizgjodh deputet, çështja u pushua dhe nuk ishte më i pandehur, duke qenë se kishte imunitet. Ata thonë se nga ai moment, deri në 24 shtator 2021, ku u rihap çështja, kanë kaluar 12 vite dhe 10 ditë. Në kërkesë thuhet se sipas ligjit, nëse kalojnë 10 vite, çështja konsiderohet e parashkruar. Avokatët thonë se Mediu nuk mund të merret si pandehur dhe as të deklarohet fajtor, pasi e drejta për të ushtruar ndjekjen penale ndaj tij është parashkruar. Avokatët thanë në sallë se Mediu nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite.
Të pranishëm në seancë ishin edhe anëtarë nga familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit. Por, GJKKO nuk i ka pranuar si palë në gjykim dhe kjo shkaktoi tensione mes palëve. Zamira Durda ka kërkuar drejtësi teksa thotë se ka 15 vite që endet gjykatave. “Dua drejtësi për fëmijën tim. Kam 15 vjet që endem dyerve të gjykatave. Fëmija im 7 vjeç nuk i njihte predhat. Fëmija im sot ha bar!”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, tashmë GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Kjo do të thotë se nëse shpallet fajtor, i ulet një e treta e dënimit, përveç parashikimeve të tjera që ka Kodi Penal për këto raste, si një pezullim i mundshëm i burgimit. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë, sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.
Më herët janë marrë të pandehur 28 persona për dosjen në fjalë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator. Mes të pandehurve edhe enturazhi ushtarak i FA-ve te Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë. Të tre janë liruar pasi në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës.