Zbardhen detaje të reja në lidhje me ekzekutimin mafioz të biznesmenit Ardian Nikulaj, në Shëngjin.
Sipas Euronews Albania nën hetim si informator i mundshëm i vrasësit është dhe një shtetas anglez, i cili ndodhej në ambientet e lokal “Coral” kur u ekzekutua biznesmeni.
Shtetasi anglez ndodhej prej 5 ditësh në Shëngjin dhe është larguar direkt pas vrasjes. Ai përdori dy taksi për të shkuar në aeroportin e Rinasit, fillimisht mori taksinë e parë nga Shëngjini në Fushë-Krujë dhe taksinë e dytë nga Fushë Kruja në Rinas.
Në dëshminë e dhënë përpara grupit hetimor, pronari i hotelit në Shëngjin, ku qëndroi shtetasi anglez, ka thënë se pas ngjarjes ai është larguar menjëherë i shqetësuar dhe ka thënë se nuk do të kthehet më kurrë në Shqipëri.
“Pista tjetër është me një shtetas anglez, i cili në momentin që ka ndodhur ekzekutimi ndodhej brenda ambienteve të lokalit. Pas ekzekutimit të biznesmenit ai është larguar drejt hotelit ku qëndronte dhe ka kërkuar të largohet.
Në dëshminë që ka dhënë pronari i hotelit, ai ka deklaruar se turisti i ka thënë se do të largohet menjëherë nga Shqipëria dhe nuk do të kthehet më këtu. Kjo është dëshmia që ka dhënë pronari i hotelit përballë grupit hetimor, ku turisti kishte 5 ditë që qëndronte aty.
Nga të dhënat në sistemin Tims, shtetasi anglez hyri në territorin shqiptar më datë 14 prill dhe u largua mbrëmjen e 19 prillit. Ndërkohë që ky shtetas dyshohet se mund të ketë qenë një informator i vrasësit, ndaj dhe hetuesit po mbledhin dëshmitë e të gjithë personave që kanë pasur kkontakt me shtetasin anglez”, raporton Euronews.