Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në Leposaviq dhe në Mitrovicë të Veriut, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në veri të Kosovës. Dy komunat tjera, Zveçanin dhe Zubin-Potokun mësohet se i kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se kandidati i kësaj partie në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, ka marrë mbi 65 për qind të votave. Sipas tij, në Leposaviq kandidati i VV-së, Lulzim Hetemi ka marrë mbi 70 për qind të votave.
Ndërsa në dy komunat e tjera Zveçani dhe Zubin-Potoku janë fituar nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas burimeve, në Zubin-Potok, Izmir Zeqiri i PDK-së ka marrë 196 vota, ndërsa Flatron Hasani i VV-së 180. Në Zveçan 114 vota i ka fituar Ilir Peci i PDK-së ndërsa Fetah Peci i VV-së 73 vota.
Vetëm 3.47 për qind nga 45,095 qytetarë me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese këtë të diele.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut votuan 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq votuan 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5.78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.