Nga Xhovan SHYTI –

 Në vlerësimin e jo pak studiuesve të huaj pjesa sunduese e popullsisë shqiptare të kohës së komunizmit klasifikohej  të ishte mazokiste. Mazokizmi është fenomen psikologjik që shfaqet masivisht sundues tek individët e popullsive që jetojnë nën sisteme apo rregjime diktatoriale. Nga mungesa e kurajos e guximit për të ngritur krye ndaj të keqes individët e këtyre sistemeve në vend të lirisë e të drejtave universale njerëzore dashurojnë vuajtjen, kthehen në skllevër të kënaqur në vuajtje sistematike.

Guximi, ngritja krye ndaj të keqes shtypëse për mazokistin është “shfaqje e huaj”, kurse quan detyrë përballimin me stoicizëm të dhimbjes, vetësakrifikimin në emër të idealit të partisë, të pusht-shtetit e shtetit të maskarenjve, që lumturinë e pakicës e ngre mbi fatkeqësinë e shumicës.

Në kompensim të mungesës së guximit për t’ju kundërvenë ballazi të keqes ekzistenciale, që u mohon të drejtat e liritë, mazokistët zgjedhin si armë beteje ndaj saj trimërinë në anonimitet. Atë kohë, pra në diktaturë, letrat e traktet ishin pika kulmore e guximit  mazokist.

Tekstet e letrave të hartuara sipas stilit raportueso-denoncues, nisnin me togfjalëshin:” I dashur shoku udhëheqës…”, dhe mbylleshin me frazën:” Një shok që i don të mirën Partisë, pushtetit popullor dhe popullit”. Përkundër tyre stili i tekstit të trakteve ishte më i fortë. Me ngjyrim të theksuar diskretitimi. Me përmbajtje të forta anti-parti, antipushtet, antidiktaturë. Ndërkohë që letër-shkruesat kishin shkallë shumë të lartë masiviteti, trakte-hartuesit numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Gjithsesi ajo që i përbashkonte këto dy kategori ishte mbetja anonime e autorëve.

Trimëria anonime ka qenë tipari i shqueshëm e mazokizmit masiv të katër dekadave jetese nën diktaturën komuniste dhe, ndonëse ka më shumë se 30 vite që pretendohet se këtë regjim e kemi lenë pas, fenomeni psikologjik i mazokizmit vijon të jetë present me gjithsa përmendëm. Dëshmi e dukëshme e këtij fakti është mungesa masive e kundërshtive, rreshtimi si kope delesh të bindura, mosngritja krye masivisht, marrja masivisht përsipër e vetëvuajtjes pa arsye, vetësakrifikimi i lirive e të drejtave individuale thelbësore në emër të ruajtjes së unitetit, të idealit të partisë e udhëheqësit, të pushtetit e shtetit edhe kur këtë e kanë zaptuar maskarenjtë, që lumturinë e tyre e ngrenë mbi fatkeqësinë e shumicës zverkulur, që hesht e s’bën zë.

Fatkeqësisht sjellja mazokiste e pjesës sunduese të shoqërisë shqiptare shfaqet dukshëm fare, veçanërisht në shoqërinë e internetit, ku individët shqiptarë del të jene trima të pashoqë. Madje duke ja kaluar për guxim edhe francezëve të cilët përpara lirive, të drejtave dhe mirëqënies së vet, nuk venë askënd  që në mënyrë abuzive u’a shkel ato.

Në botën virtuale të internetit guximi i shfrenuar i rregjimenteve shqiptare shfaqet i armatosur me rrugaçërinë e vulgaritetit gjuhësor, tek i thyen brinjë e kafkë më së pari individit që me idetë e veta ndryshe guxon të cënojë nderin e humbur të “burrave” të politikës, të shtetit e pusht-shtetit.

Mjafton të ndjekësh rubrikën e komenteve pa fre, që disa media lenë në dispozicion të lexuesve për tu bindur në guximin e skuadroneve komentuese, të cilët, të fshehur pas mburojës së anonimitetit mazokist, bëjnë cop e çik autorët jo anonimë të shkrimeve kondraversale, që guxojnë të “cënojnë” nderin e humbur të Kryeministrit, të Presidentit, të Lali Erit e Lalëve të tjerë ministra, politikanë, kryebashkiakë, opozitarë, pozitarë etj.,etj. I bëjnë cop e çik. U thyejnë brinjë, dhembë e dhëmballë. I nëmin me libër shtëpie, me fis e farë, duke u prezantuar denjësisht e me gjithçka si trima anonim të internetit./ Koha Juaj.com/

THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv  dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Koha Juaj.com” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.