Detaje të rënda kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Stivens Toshkësi, i cili u qëllua me thikë pas shpine gjatë natës shumë pranë banesës së tij.
Ngjarja ndodhi rreth 00:35, në rrugën “4 Dëshmorët”, në afërsi të gjimnazit “Partizani”.
Gazetari Igli Çelmeta në një lidhje live për News24 tha se Toshkësi sapo kishte lënë punën kur është përballur me dy 18-vjeçarët, të cilët e kishin qëlluar pas shpine, duke i shkaktuar plagë të rënda. Mësohet se viktima kishte debatuar me dy autorët e dyshuar, Ensi Maze dhe Axel Hoxhaj, ndërsa mollë sherri ishte bërë një vajzë.
Po ashtu mësohet se i riu sapo kishte dalë nga puna e tij, kur është sulmuar nga dy adoleshentët, të cilët dyshohet se e kanë planifikuar sulmin.
“Më datë 18.04.2023, rreth 00:35, në rrugën “4 Dëshmorët”, në afërsi të gjimnazit “Partizani”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasit E. M., 18 vjeç, dhe A. H., 18 vjeç, kanë plagosur me mjete prerëse shtetasin S. T., 20 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.”, thuhet në njoftimin e policisë.