Nga Xhovan SHYTI –
Më duhet ta shpjegoj qysh në fillim se mospërkimi në kohë i shkrimit të mëposhtëm, – që jo rastësisht e nxorra nga arkivi për ta publikuar,- i përket periudhës kohore të nëntë viteve më parë. Atë kohë kryeministër ishte Sali Berisha, portreti qeverisës i të cilit përbën dhe thelbin e përmbajtjes.
Në marsin e 2013 Berisha ishte në muajt e fundit të qeverisjes dy mandatëshe të cilin e humbi në 23 qershor. Pas asaj fitorejeje vërtetë plebishitare ( me një milion vota në favor), në pushtet-qeverisjeje hipi Edi Rama me sloganin e betimin e “rilindjes” së tokës së djegur nga paraardhësi i tij, që e kish nxjerrë veten e tarafin jashtë ndëshkimit ligjor.
Gjatë fushatës elektorale të “rilindjes”, krahas të tjerave, Edi Rama, zotohej ti jepte fund qënies së tarafit Berisha “monument antidrejtësi”, duke kthyer shtetin ligjor për të gjithë.
Aktualisht Edi Rama me tarafin e “rilindjes”është duke konsumuar mandatin e tretë qeverisës si kryeministër, arsye kjo që e solla në ripublikim shkrimin e 2013-tës. Që gjithkush prej jush të gjykoj sa dhe kundryshon Edi Rama nga ish paaraardhësi i tij Sali Berisha në pikën e nxjerrjes së vetes dhe tarafit jashtë ndëshkimit ligjor.
Shkrim-komenti i publikuar, me të njejtin titull, ekzaktësisht në 05 mars 2013 në gazetën “TemA”.
“E provuat njëherë në 21 janar, provojeni përsëri dhe do ta shihni”, ka qenë në kontekst përmbajtja e një mesazhi që i pari i qeverisë, Sali Berisha, ka lëshuar ca kohë më parë nga foltorja e Parlamentit ku qëndronte, duke pranuar autorësinë e krimit, pra njeriun që qëndron pas kuintave si urdhërdhënës, por edhe duke konsumuar veprën penale të kërcënimit hapur me jetëmarrje kolektive të opozitës. Pas kësaj, përveç pak, fare pak analistëve, komentuesve, gjithologëve dhe opinionistëve të revoltuar, askujt tjetër nuk i bëri përshtypje pranimi hapur i krimit të shkuar e të pazbardhur ende dhe as korrelacioni i guximit kryeministror për ta përsëritur atë në rast se ja lyp nevoja.
Që do të thotë, në rast të ndërmarrjes së një tjetër proteste opozitare paqësore si ajo e 21 janarit 2011, ku si rezultat i dhunës së ushtruar nga segmente të qeverisë gjetën vdekjen katër qytetarë protestues, ndërsa u plagosën jo pak të tjerë. Dhe që, pas më shumë se dy vite hetimesh, jo vetëm Kryeministri, jo vetëm ministri i Brendshëm i kohës, jo vetëm komanduesi i Gardës dhe shenjuesi i viktimave, por askush nuk doli të jetë ligjërisht përgjegjës. Për këtë tragjedi sociale, gjykata e faktit të kryeqytetit dha verdiktin sfidues të pafajësisë për dy të pandehur, bombardimi mediatik i këtij vendimi zgjati pak më shumë se tre ditë dhe, si gjithmonë, pas ikjes së këtyre ditëve të gjithë heshtën.
Sigurisht, në atmosferën e represionit dhe të agresivitetit, që ka instaluar kreu i maxhorancës qeverisëse, për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit, një përcjellje e tillë qytetare shurdhane edhe mund të justifikohet. Edhe mund të shpjegohet. Ajo që është e pajustifikueshme në këtë deklarim, e pashpjegueshme, madje-madje absurde, dhe që e bën më shumë sesa duhet “ekzotike” atmosferën pas deklarimit kryeministror është spektatorizmi i organeve kompetente. I atyre organeve që kushtetueshmërisht duhet të mbrojnë gjithë taksapaguesit nga abuzuesit e pushtetit. Ndër të cilët Sali Berisha është unik. Jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në trevën ballkanase, jo vetëm ndër gjithë vendet e ish- lindjes komuniste, por në të gjithë kontinentet, përveç atij afrikan. Ku udhëheqësit tribalë të shteteve qëndrojnë mbi ligjet kushtetuese, ndërkohë që daullet e këtyre ligjeve bien sipas dirigjimit të tyre. I ngjashëm me ta është edhe ky i yni.
Një Kryeministër që e ka korracuar dhe nxjerrë veten jashtë ndëshkimit ligjor, por që i ka dhënë këtë status antiligjor kujtdo që ai e gjykon të arsyeshme. Kujtdo që i shërben verbërisht. Sepse nëse do të ishte ndryshe, veprimet e tij antiligjore nuk do të kalonin në heshtje. Sepse nëse kërcënimi që Berisha lëshoi nga foltorja e parlamentit do të ish bërë nga dikush tjetër, nga ndonjë opozitar, nga ndonjë ish i persekutuar, kundërshtar i qeverisësve a ndonjë anti-ku di unë, është e sigurt se ajo do të ishte cilësuar vepër penale. Dhe nëse thirrja do të përbënte kërcënim, ndaj autoritetit të Kryeministrit, apo të kujtdo tjetër që bën pjesë në rrethin e të tijve, ndaj thirrësit me hir apo me pahir organet kompetente do të lëviznin, pa asnjë dyshim. Domethënë do të nisnin paditjen kryesisht, duke e akuzuar lëshuesin, jo kryeministër të frazës: “E provuat njëherë në 21 janar, provojeni përsëri dhe do ta shihni!”, – për konsumim të veprës penale të kërcënimit me jetëmarrje kolektive. Gjë që nuk ka ndodhur dhe as ka për ta ndodhur përsa kohë individi kryeministër me identitetin Sali Berisha të mos vazhdojë të mbajë statusin jo zyrtarë të të qënit jashtë ligjit.
Sepse ka të tillë status ky njeri merr guximin të anashkalojë ligjin kushtetues, që në mënyrë kategorike ndalon pazaret me tokën e atdheut, guxon të shesë e të privatizoj asetet publike, pa respektuar ligjet në fuqi,guxon të bëjë ç’të dojë me financat publike dhe buxhetin e shtetit, guxon të realizojë e anulojë tendera, duke lënë miliona dollarë nëpër arbitrazhet ndërkombëtare, dhe të tallet me çdo denoncim të shkresuar që i lëshon opozita. Por guxon të përbaltë gjithkënd që del kundër vijës së tij të mishmashit qeverisës.
Sali Berisha e ka nxjerrë veten jashtë ndëshkimit ligjor, falë agresivitetit të pakufi që shpalos ndaj kujtdo që guxon t’i tregojë dhëmbët e ligjit. Por edhe falë tufës së bashibozukëve treqind e gjashtëdhjetë gradësh të instaluar prej tij në të gjitha shkallët e strukturave që hetojnë dhe japin drejtësi. Është kjo jashtëligjësi tribale arsyeja që gjithkush që përballet ligjërisht me të afërm, apo përfaqësues klanorë të kryeministrit të dalë i humbur. I humbur, madje i ndëshkuar, në disa gjyqe ka dalë denoncuesi i abuzimeve të të afërmve të kryeministrit Berisha, deputeti Saimir Tahiri, por humbës dhe të ndëshkuar rezultojnë të jenë edhe homologët e tij Taulant Balla, Erion Braçe etj. Por humbëse e betejës me drejtësinë ka dalë edhe nëna e kreut të opozitës Edi Rama, e cila guxoi t’ia ndalë hovin banal të ofendimit pa kufij kreut dinastik të qeverisë dhe të partisë së maxhorancës.
Ka edhe shumë raste të tjera, me ministra e nëpunës të rangut të lartë, të cilët kanë firmosur në emër të antiligjit, që janë përfshirë në afera korruptive dhe kanë dalë të pandëshkuar nga drejtësia. Grupi i të përfshirëve në tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, është më i fundit i aksesuar prej qenies jashtë ligjit të kryeministrit. I cili, pikërisht për këtë fakt, pra sepse gjendet në këtë pozitë social-juridike nuk mendohet dy herë kur i shkrepet t’i bëj ndokujt gjëmën. Pikërisht sepse ka dalë jashtë ligjit kryeministri ynë, njëherësh dhe kryetar i partisë së maxhorancës, de facto bën edhe kryeparlamentarin, edhe presidentin, edhe ministrin e Drejtësisë, edhe atë të Brendshëm, edhe kreun e të gjitha gjykatave pa përjashtim. Me pak fjalë, në shkelje flagrante të ligjit themeltar, bën kreun e gjithçkaje përmban struktura kushtetuese e shtetit tonë.
Sepse ka dalë jashtë ligjit, kryeministri i një qeveria që ia ka borxh ligjor ish të përndjekurve dëmshpërblimin, thyen ligjin dhe i lë ata të vetëflijohen, në papërfillje totale. Madje duke guxuar të urdhërojë heqjen e lëngjeve, të ilaçeve dhe të çdo lloj mjeti ligjërisht të lejuar, duke thyer çdo lloj parashtresë ligjore të parashikuar për rastet e grevave të urisë. Sepse është i tillë, pra jashtëligjit, kryeministri, por edhe të tjerë të shenjuar prej tij, i lejojnë vetes të mos u ndajnë pronat pronarëve, t’u ligjërojnë prona pushtuesve e grabitësve të pasurisë kombëtare, të heqin e të emërojnë ne detyrë këdo që i vjen për shtat. Por edhe të paguajnë me fondet tona publike agjenci të huaja, influencuese në zbardhjen e faqes së zezë të qeverisjes berishiste, d.m.th për të mashtruar me paratë e taksapaguesve, pa i dhënë llogari askujt.
Të gëzojnë ca të drejta antiligjore për të cilat nuk do të na bëhej shumë vonë, nëse nuk do të qenë të tilla që të shkelnin të drejtat tona. Të drejtat ekonomike, të drejtat financiare,të drejtat social-juridike. Nëse nuk do të qenë të tilla që të shkelnin liritë tona kushtetuese, dinjitetin dhe moralin tonë kombëtar.