Avokati Idajet Beqiri ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit (SPAK) , një tjetër kallëzim penal që përfshin ish kryeministrat Sali Berisha dhe Ilir Meta, për rolin e tyre në aferën e privatizimin të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Përveç tyre Beqiri i kërkon Prokurorisë ndjekje penale edhe për ish- ministrin e Financave në kohën e Berishës, Ridvan Bode, ish- ministrin e Energjetikës, në kohë të Ilir Metës, Edmond Haxhinasto, si dhe ish- zëvendësministrin e Energjetikës, Sokol Dervishaj e ish- drejtorin e KESH Engjëll Zeqo.
Në foto: Ridvan Bode, Sali Berisha, Ilir Meta. Edmond Haxhinasto. Sokol Dervishi
Në tekstin e kallëzimit, ndër të tjera, thuhet se ish zyrtarët në fjalë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kaluar në duart e privatit pasurinë publike (4 hidrocentralet), në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro.
Në kallëzim pretendohet se kanë kryer disa vepra penale si korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, organizatë kriminale, fshehje pasurie etj. Sipas kallëzimit, Sali Berisha, Ilir Meta dhe grupi i tyre, pasi kanë shitur pasurinë publike, kanë ndarë më pas interesat, pasi kompania private ka fituar rreth 10 milionë euro çdo vit, pa kryer asnjë investim.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat, e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it…. Përmes shitjes së këtyre 4 hidrocentraleve, u pakësoi shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit 10 milion dollarë të ardhura për çdo vit. Nga viti 2013 dhe deri më sot buxhetit të shtetit dhe taksapagueseve shqiptarë u janë vjedhur 100 milion dollarë….
Ish-kryeministri Sali Berisha, ish- ministri Ilir Meta, ish- ministri Edmond Haxhinasto, ish- ministri Ridvan Bode, ish-zëvendësministri Sokol Dervishaj, si dhe ish- drejtorit të KESH Engjëll Zeqo, në bashkëpunim me disa ekspertë të tyre, përgatitën aferën korruptive duke ndryshuar fillimisht vendimet e Këshillit të Ministrave, si dhe duke nëpërkëmbur dhe anashkaluar Ligjin nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Këta të kallëzuar i shitën katër HEC-et, me 132. 2 milion euro më pak”, thuhet në kallëzim.
Me një manovër institucionale, u shmang ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Neni 4 i ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 ka një paragraf ku shkruhet: “…Nuk do të konsiderohen pjesë të sektorëve me rëndësi të veçantë ndërmarrjet, shoqëritë tregtare ose pjesë të tyre, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike dhe kanë rezultat financiar me humbje për mbi 3 vjet rresht”. Kjo pikë nuk lejonte shkëputjen nga KESH për objektet rentabël siç ishin katër hidrocentralet dhe as privatizimin e tyre ndryshe”, thuhet në padi.