Katër persona janë arrestuar dje në Australi, si të përfshirë në një “rrjet ndërkombëtar satanik të materialeve abuzive ndaj fëmijëve”.

Siç shkruajnë mediat e huaja, katër burrat dyshohet të kenë ndarë materiale të tmerrshme me një rrjet ndërkombëtar, ku shfaqeshin fëmijë nga foshnje deri në moshën 12 vjeç, si edhe raste që përfshinin kafshë.

“Policia pretendon se ky grup ndërkombëtar ishte i angazhuar në biseda dhe shkëmbim materialesh që paraqisnin abuzim ndaj fëmijëve dhe torturë, të shoqëruara me simbole dhe rituale të lidhura me satanizmin dhe okultizmin”, deklaroi Jayne Doherty, drejtuese e skuadrës së krimeve seksuale të New South Wales.

Ajo shtoi se në pajisjet elektronike të sekuestruara gjatë disa kontrolleve në Sydney javën e kaluar u gjetën mijëra video. Mes imazheve të neveritshme sipas saj, kishte edhe disa video që tregonin abuzim ndaj kafshëve.

Një 26-vjeçar mësohet se ka pasur rol udhëheqës në këtë grup, pamjet e arrestimit të të cilit janë bërë publike.

Hetimi u krye nga skuadra e krimeve seksuale NSW, në kuadër të një operacioni të nisur në prill për të hetuar shpërndarjen online të materialeve abuzive ndaj fëmijëve që përfshijnë edhe rituale satanike.

Në nëntor, policia mori informacion se disa burra në Sydney ishin pjesë e një grupi të madh (pedofilësh) me degë edhe jashtë vendit. Ata komunikonin me njëri-tjetrin dhe ndanin materiale eksplicite të abuzimit ndaj fëmijëve.

Mijëra materiale të sekuestruara

Sipas një deklarate zyrtare, policia ekzekutoi gjashtë urdhër-kontrollet në zona të ndryshme të Sydney-t.

26-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, përfshirë vënien në dispozicion të materialeve të abuzimit ndaj fëmijëve dhe posedimin e tyre. Po ashtu për shpërndarje dhe posedim materialesh që përfshinin abuzim ndaj kafshëve.

Tre burrat e tjerë, të moshave 46, 42 dhe 39 vjeç, u arrestuan në lagjen bregdetare Malabar në lidhje me të njëjtin rrjet abuzimi. Të katërt do të dalin para gjykatës në janar të vitit të ardhshëm.

Policia po analizon mijëra materiale për të zbuluar anëtarë të tjerë të dyshuar të grupit që dyshohet se kanë ndarë imazhe në platforma të enkriptuara ndërkombëtare.