Senatorja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, u shfaq sot në parlament e veshur me burka , në një përpjekje për të promovuar heqjen e veshjeve myslimane në vendet publike, dhe provokoi reagime nga senatorët myslimanë të cilët e akuzuan atë për racizëm.

Hanson e veshi burkën menjëherë pasi iu mohua leja për të paraqitur një projektligj që do të ndalonte burkën dhe mbulesat e tjera që mbulojnë të gjithë fytyrën në vendet publike në Australi.

Kjo ishte hera e dytë që Hanson mbante vellon që mbulonte të gjithë fytyrën, të cilën e mbajnë disa gra myslimane, brenda parlamentit në përpjekjen e saj për ta ndaluar atë në vendet publike.

Senati reagoi me zemërim kur Hanson hyri në sallë e veshur me burka, dhe seanca u pezullua kur ajo refuzoi ta hiqte atë .

“Ky senator është racist dhe shfaq racizëm të hapur”, tha myslimanja Mehreen Farooqui, një senatore e të Gjelbërve nga shteti i Uellsit të Ri Jugor.

Nga ana e saj, myslimanja Fatima Paiman, një deputete e pavarur nga shteti i Australisë Perëndimore, e quajti veprimin e Hanson “të turpshëm”.

Si Penny Wong, udhëheqësja e partisë së majtë të qendrës në pushtet në Senat, ashtu edhe Anne Ruston, zëvendëskryetarja e opozitës, e dënuan veprimin.

Shikoni fotot:

002

Senatorja me burka

001

Senatorja me burka

 

Wong e quajti sjelljen e Hanson “të papërshtatshme për një anëtare të Senatit” dhe paraqiti një mocion për largimin e saj nga salla për shkak se nuk e hoqi burkën kur iu kërkua. Pas refuzimit të vazhdueshëm të Hanson për t’u larguar, seanca u ndërpre.

Hanson, një senatore nga Queensland, e cila u bë e famshme në vitet 1990 për kundërshtimin e saj të ashpër ndaj imigracionit dhe azilkërkuesve aziatikë, ka qenë prej kohësh kundërshtare e veshjes myslimane dhe veshi përsëri burka në parlament në vitin 2017, duke bërë thirrje për një ndalim kombëtar.

Partia Një Komb tani mban katër vende në Senat, duke forcuar përqindjen e saj në zgjedhjet e majit, mes një klime të rritjes së politikave të ekstremit të djathtë dhe anti-imigracion në Australi.

Në një postim në Facebook pas episodit, Hanson tha se veprimi i saj ishte një akt proteste sepse Senati e hodhi poshtë projektligjin e saj.

“Nëse parlamenti nuk dëshiron ta ndalojë, atëherë unë do ta vesh këtë veshje radikale, shtypëse dhe jofetare, e cila rrezikon sigurinë kombëtare dhe të drejtat e grave, brenda vetë parlamentit, në mënyrë që çdo australian të kuptojë se çfarë është në rrezik. Nëse nuk duan që unë ta vesh, ndalojeni burkën.”/kohajuaj.com