Ditën e miratimit të kandidatëve për kryetar bashkie, Ilirjan Celibashit i trokitën në derë ambasadorët.

Për gati 45 minuta, ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe ajo e BE-së, Christine Hohman diskutuan për zgjedhjet vendore të 14 majit, për të cilat KQZ bën me dije se për ambasadorët paraqitën një rëndësi të veçantë

Deklarata e ambasadoreve:

“Sot, më 5 prill, ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann dhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim u takuan me komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

Komisioneri Celibashi i informoi ambasadoret mbi përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023.

Gjithashtu, komisioneri theksoi përpjekjet e KQZ-së për të garantuar një garë të ndershme, duke përfshirë monitorimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe transparencën për të dhënat financiare.

Dy ambasadoret theksuan se ishte thelbësore për procesin zgjedhor që institucionet si KQZ-ja të lejoheshin ta kryenin punën e tyre pa ndërhyrje dhe se njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin lirisht për kë të votojnë.

Ambasadorja Hohmann e lidhi zhvillimin e zgjedhjeve me rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

“Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë është duke u zhvilluar dhe ka përfunduar shqyrtimi i grupimit të parë të kapitujve, ku zgjedhjet janë një komponent i rëndësishëm i bazave. Prandaj, do t’i kushtohet vëmendje e shtuar zhvillimit të zgjedhjeve lokale”, tha ambasadorja Hohmann.

Dy ambasadoret theksuan rëndësinë e integritetit të kandidatëve në zgjedhje dhe të pasurit e kushteve të barabarta për konkurrentët elektoralë.

Ato theksuan se KQZ-ja duhet të ruajë besueshmërinë dhe respektin e arritur deri tani dhe të fokusohet në zbatimin e rekomandimeve të paplotësuara të ODIHR-it.

Komisioneri Celibashi falenderoi BE-në dhe SHBA-në për mbështetjen e tyre ndaj KQZ-së dhe procesit zgjedhor më gjerësisht. Celibashi vlerësoi në veçanti platformën digjitale të financuar nga BE-ja për raportimin e financimit të partive dhe fushatave, zbatuar përmes Këshillit të Evropës”.