Policia shqiptare do të kontaktojë autoritetet spanjolle për shkëmbim informacioni lidhur me lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, të cilët udhëtuan drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kur u kthyen në Rinas më 11 nëntor ranë pre e një atentati.
Hetuesit kanë dyshime të forta se planifikimi dhe organizimi i atentatit ka nisur që nga Barcelona, atje ku qëndruan tre ditë Dani dhe Shaljani.
Grupi hetimor dyshon se Dani ndiqej prej shumë kohësh nga autorët, madje ishte ndjekur edhe kur u nis drejt Spanjës më 7 nëntor.
Gjithashtu, në pyetje janë marrë disa persona me precedentë penalë, të cilët janë të dyshuar dhe të afërm të Gilmando Danit dhe agjentit të AMP-së.
Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës, ka nxjerr se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Në Spitalin e Traumës, vijon të jetë i intubuar Muçi Shaljani, i cili mori 10 plumba në trup, 1 prej të cilit në kokë.
