Aksionarët e Teslës kanë vendosur t’i japin Elon Musk – tashmë personi më i pasur në planet – mundësinë për t’u bërë trilioneri i parë në histori.

Paketa e re e kompensimit të Musk ishte tema kryesore në mbledhjen vjetore të aksionarëve të enjten në mbrëmje në Austin të Teksasit, ku ndodhet selia e pionierit të makinave elektrike, e cila miratoi vendimin për një plan të ri kompensimi për CEO-n Elon Musk me më shumë se 75%, sipas një zëdhënësi të kompanisë.

“Paketa e pagës” dhjetëvjeçare e njeriut më të pasur në botë është e ndarë në dymbëdhjetë këste, varësisht nga përmbushja e objektivave dhe performanca financiare e grupit, dhe parashikon se ai do të marrë nga 878 miliardë deri në 1 trilion dollarë, duke përfshirë aksionet, ndërsa zbaton vizionin e tij që kompania të lulëzojë në fushat e inteligjencës artificiale dhe robotikës.

Ndër objektivat janë dërgimi i 20 milionë automjeteve tek klientët, operimi i 1 milion robot-taksive, shitja e 1 milion robotëve dhe arritja e fitimeve neto prej 400 miliardë dollarësh . Për të arritur shumën e parashikuar, kapitalizimi i tregut të Teslës do të duhet të rritet nga 1.5 trilion dollarë sot në 2 trilionë deri në 8.5 trilionë dollarë.