Nga Vjosa Limani-
Në Shqipëri, politika ka arritur kulmin e ironisë.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, PS u organizua nëpërmjet Akademisë Politike për të trajnuar skuadrën e re të deputetëve të rinj para se ata të hynin në dyert e Kuvendit në muajin shtator. Nuk mbeti mbrapa as PD, e cila nisi sot trajnimin e deputetëve të rinj “për sjelljen në Kuvend”.
Me sa duket, ky do të jetë sezoni më i fortë akademik që ka parë ndonjëherë politika shqiptare.
Kur e mendon, këta deputetët e rinj të cilët duhet të vinin në parlament me sjellje e ide të reja, tani do t’i shohim si kopje të dy liderve të pazëvendësueshëm, Berisha e Rama.
Kjo është dukshëm një arritje e madhe kombëtare: të dy palët kanë pranuar publikisht që kanë dërguar në Kuvend njerëz që s’dinë pse janë aty.
Në një vend normal, deputet bëhesh pas një karriere, përvoje e një kontributi publik.
Në Shqipëri, deputet bëhesh pas një telefonate nga Rama apo Berisha.
Nëse dikur duhej të kishe ide, sot mjafton t’i bindesh liderit.
Nëse dikur kërkohej dije, sot mjafton të jesh analfabet funksional.
Kështu kemi përfunduar me një Parlament që s’është më trupi ligjvënës i vendit, por një kurs me ca injorantë të sapozgjedhurit me “CV” nga TikTok-u.
Ata që dje s’dinin të shpjegonin një nen, sot do të votojnë ligje që s’i kuptojnë.
E gjitha kjo ndodh sepse dy liderët tanë të përjetshëm, Rama dhe Berisha, kanë ngritur artin e përzgjedhjes në absurditet:
Të zgjedhin më të bindurin, jo më të diturin.
Më të heshturit, jo më të zotët.
Dhe më të korruptueshmit , jo më të ndershmit.
Sot, pa përvojë, merr mandat.
Pa ditur kuptimin e ligjit, cirresh me mikrofon.
Pa dinjitet, merr imunitet.
Sali Berisha dhe Edi Rama janë dhe do të mbeten arkitektët e së njëjtës shkollë – Shkollës së Injorancës me Notë Kalimi Partiake.
Në këtë realitet grotesk, ku trajnimi për deputetë është bërë si kurs makiazhi për politikën, pyetja është e thjeshtë:
Kush po tallet më shumë me popullin shqiptar — ata që i trajnojnë, apo ne që ende i votojmë?/kohahuaj
