Një moment prekës dhe njëkohësisht historik ndodhi në Vatikan, pasi është hera e parë që kreu i Kishës së Anglisë lutet publikisht me një papë.
Mbreti Çarlsi III u lut publikisht me Papën Leo XIV.
Mbreti Charles III, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Camilla, u prit në Pallatin Apostolik nga Garda Zvicerane këtë mëngjes (23 tetor), përpara takimit të tij privat me Papa Leo XIV, në bibliotekën e Vatikanit.
Më pas, Mbreti Charles III dhe Camilla dëgjuan himnet kombëtare në Oborrin e Shën Damasit në Vatikan.
Në mesditë, Mbreti Charles mori pjesë në shërbesën ekumenike në Kapelën Sistine, të udhëhequr nga Papa dhe Kryepeshkopi i Jorkut, Stephen Cottrell.
Ceremonia iu kushtua mbrojtjes së mjedisit, u transmetua drejtpërdrejt nga Vatikani dhe kombinoi traditat katolike dhe anglikane.
Vizita përfundoi me dhënien e titullit Royal Confrater Charles-it, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, në një ceremoni që nxjerr në pah lidhjet e gjata të monarkisë angleze me Romën.
Kjo ngjarje historike është pjesë e Vitit Jubilar të Kishës Katolike, duke forcuar dialogun dhe frymën e unitetit midis dy traditave të krishtera./kohajuaj
