Kryeministri Rama i është përgjigjur përfaqësuesit të Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, i cili tha se ishte i shqetësuar për numrin e personave që largohen nga vendi.

Teksa solli si shembull një vizitë tijën në Itali, ai tha se lëvizja e njerëzve dhe largimi i tyre nga një vend në tjetrin ka lidhje me globalizmin dhe mundësitë që ai u ofron njerëzve për një jetë më të mirë.

Rama tha se rritja e pagave në vend është një lëvizje e bërë për të ndihmuar në zbutjen e trendit, por pohoi se nuk do e frenojë atë.

“Ishim në Verona për panarin e verës, rajoni më i pasur i Italisë, e gjitha 5 milionë banorë dhe ka 600 mijë ndërmarrje. Kemi pasur një darkë pune me guvernatorin. Shqetësimi kryesor ishte largimi i mjekëve, largimi i specialistëve të nivelit më të lartë.

Pse ikin nga rajoni më i pasur i Italisë? Se ka korrupsion, krim, s’ka shërbime? Ikin se kjo është koha që jetojmë, ku të gjitha produktet e globalizmit që vijnë nga qendrat me të pasura arrijnë deri në fshatin më të largët të pazhvilluar dhe e ngrenë peshë atë 20 vjeçarin që është aty dhe i thonë hajde.

Njerëzit shkojnë sepse kjo kohë që jetojmë e bën të mundur që aspiratat më të larta të ndiqen duke shkuar në vendin ku janë të ardhurat më të larta. S’ka çelës magjik, forcë që të përmbysë këto lloj trendesh.

Duhet hap pas hapi të bëjmë progres dhe kjo rritje pagash do ndihmojë shumë por s’do ta frenojë globalizmin dhe s’do frenojë trendet historike të kohës. Kemi arritur rezultate domethënëse në të gjithë procesin e ngritjes së bazës për të rritur pagat.

Mund të punojmë hap pas hapi dhe rritja e pagave që po bëjmë do të ndihmojë, por nuk do i frenojë këto trende. Askush nuk flet për ata që kthehen. Në vitin 2022 kemi pasur një numër të lartë të atyre që kthehen. Sigurisht nuk krahasohet me ikjen, por duhet të ulemi e të punojmë” – tha Rama.