Garda Kombëtare “mund” të vendoset që të premten, më 10 tetor, në Memfis , një qytet i qeverisur nga demokratët në shtetin republikan të Tenesit, theksoi shefi i policisë lokale të martën (10/7) gjatë një takimi të këshillit të qytetit.

“Disa anëtarë të Gardës Kombëtare janë tashmë në Memphis (…) por ndoshta më 10 tetor, pas pak ditësh, do të shohim grupin e parë të Gardës Kombëtare të mbërrijë në Memphis”, shpjegoi Sherelyn Davis.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 15 shtator për të vendosur anëtarë të Gardës Kombëtare në Memfis në përgjigje të “krimit” që ai thotë se po ndodh në qytetet e mëdha amerikane të qeverisura nga demokratët.

Trump kishte sqaruar se ky operacion “do të përfshijë Gardën Kombëtare, FBI-në” dhe agjenci të tjera federale. Në total, do të vendosen 700 oficerë të zbatimit të ligjit.

Gjatë seancës dëgjimore në Senat të martën, Prokurorja e Përgjithshme Pam Boddy siguroi se “Garda Kombëtare do të jetë aty ku duhet për të garantuar sigurinë e amerikanëve”.

Të shtunën, protestuesit në Memfis dolën në rrugë për të protestuar kundër vendosjes së ardhshme të Gardës Kombëtare atje. “Luftoni varfërinë, jo të varfrit”, brohoritën ata.

Në pritje të këtij vendosjeje të mundshme në Memfis, rreth 200 ushtarë të Gardës Kombëtare nga Teksasi kanë mbërritur pranë Çikagos. Ata mund të vendosen në qytet sot, sipas një zyrtari ushtarak të cituar nga New York Times.

Presidenti amerikan e ka përshkruar këtë qytet si një “zonë lufte” dhe dëshiron të zbatojë atje të njëjtën zgjidhje që ndoqi në qytete të tjera demokrate: ushtarë në rrugë, diçka shumë e rrallë në SHBA.

Trump autorizoi vendosjen e 700 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago fundjavën e kaluar, duke shkaktuar një konfrontim me zyrtarët demokratë vendas.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në detyrë, Trump ka dërguar ose ka kërcënuar të dërgojë Gardën Kombëtare në dhjetë qytete, duke përfshirë Baltimoren, Uashingtonin, New Orleans-in, Oakland-in, San Franciskon dhe Los Anxhelosin./kohajuaj