Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e rëndë që ndodhi brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit.

Pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes, Elvis Shkambi, në pranga kanë rënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë i Gjykatës së Apelit Tiranë, Banush Koxhaj.

Përmes një njoftimi për mediat policia bëri me dije se roja i sigurisë në gjykatë nuk ka marrë asnjë masë për të ushtruar kontroll fizik ndaj dajë e nip Elvis dhe Gjon Shkambi, edhe pse skaneri në momentin e hyrjes së tyre në sallë sinjalizoi praninë e metaleve.

“Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi policia.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

Pas ngjarjes, autori Elvis Shkambi ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Pas daljes në oborr autori është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.